Koronavirusi: çast pas çasti

Deputeti Musa nga Hamburgu: Mbështeteni Qeverinë Kurti në krizën që po kalon Kosova

Për shkak se tani është çështje e bashkëqëndrimit dhe e solidaritetit për mirëmbajtjen e shëndetit të qytetarëve në Kosovë, kërkoj nga përgjegjësit udhëheqës të LDK-së që ta mbështesin qeverinë e re dhe jo për ta rrëzuar atë

Thirrjeve të personaliteteve të ndryshme, shqiptare dhe të huaja, drejtuar klasës politike të Kosovës për seriozitet dhe bashkëpunim në tejkalimin e situatës atje, i është bashkuar edhe Sami Musa, deputeti i ri i në Parlamentin e Republikës së Hamburgut.

Në vazhdim letra e deputetit Musa, dërguar enkas për albinfo.ch.

“Unë po ju shkruaj sot si një shtetas gjerman me prejardhje nga Kosova dhe njëkohësisht si shtetas gjerman i parë me origjinë shqiptare, si anëtar i Parlamentit Federal të Bashkisë së Hamburgut.
Me shqetësim të madh po ndjek për momentin zhvillimet në vendin e prejardhjes time.
Si rezultat i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, u krijua një qeveri e koalicionit disa javë më parë nga VV, LDK si edhe nga përfaqësuesit e grupeve etnike jo-shqiptare. Pritjet nga kjo qeveri janë shumë të larta në Kosovë, por edhe në vendet e tjera evropiane. Ajo ka përgjegjësinë për të korrigjuar mangësitë në sistemin politik dhe kulturën politike të Kosoves si edhe për ta shty vendin tonë të marrë pjesë në procesin afatgjatë në integrimin evropian.
Fatkeqësisht, qeveria e Albin Kurtit nuk pati kohë të njihet me situatën, por menjëherë u përball me përhapjen e virusit të koronës – ashtu si çdo qeveri në të gjithë botën – dhe u desh të deklarojë gjendjen ku popullata do të ketë ndalesa të lëvizjes së lirë. Kjo ka çuar në një krizë të rëndë qeveritare si dhe ka indinjuar opozitën dhe presidentin e vendit.
Në shumë vende, forcat politike përgjegjëse i kanë shtyrë interesat e tyre politike të partisë; Qeveritë dhe opozita punojnë ngushtë së bashku sepse shqetësimi kryesor tani duhet të jetë jeta dhe mirëqenia e çdo qytetari. Kjo duhet të vlejë edhe për Kosovën.
Unë jam ai që veproj sipas kushtetutes dhe e mbroj atë. Por në këte rast nuk kam mirëkuptim, nëse Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, akuzon qeverinë për shkelje të kushtetutës dhe u kërkon qytetarëve të mosrespektojnë masat paraprake që zbatohen sot në pothuajse çdo vend të Evropës dhe botës. Sipas mendimit tim, një qëndrim i tillë, si i Thaçit në këte rast, rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Kosovës.
Kushtetuta e Kosovës është vetëm 12 vjeçe. Mund të mos i ketë ende të gjitha mjetet ligjore të nevojshme për një situatë të tillë. Atëherë forcat politike – qoftë qeveria apo opozita – janë përgjegjëse për përshtatjen e situatës ligjore në krizën globale në vend që të përpiqen të bëjnë manovra taktike. Kushdo që përpiqet të rrëzojë qeverinë për t’u rikthyer në pushtet sa më shpejt të jetë e mundur, po vepron në mënyrë të papërgjegjshme; ai vë interesat e tij personale, si dhe ato partiake mbi mirëqenien e popullit të Kosovës.
Për shkak se tani është çështje e bashkëqëndrimit dhe e solidaritetit për mirëmbajtjen e shëndetit të qytetarëve në Kosovë, kërkoj nga përgjegjësit udhëheqës të LDK-së që ta mbështesin qeverinë e re dhe jo për ta rrëzuar atë. Nëse qeveria Kurti / Osmani përballon këtë krizë, do të jetë një sukses i madh edhe për LDK-në sesa ajo të veproje përsëri edhe në vazhdim me modelet e taktikës së pushtetit të vjeter.
Edhe Kancelarja e shtetit tim i doli në mbrojtje Qeverisë Kurti, edhe Partia të cilës unë i takoj SPD po e mbron qeverinë Kurti në këtë situatë delikate, edhe unë si një qytetar i brengosur në Parlamentin e Hamburgut ngre zërin tim kundër manovrave politike që po servohen nga Presidenca, opozita dhe nga partneri qeverisës LDK kundër qeverisë aktuale.
Andaj ju lus të gjithëve të uleni bashkë e të përgaditeni sa më mirë për tejkalimin e situatës që ka krijuar Pandemia vdekjeprurëse, kurseni qytetarët nga lojërat e juaja personale dhe partiake.
Vetëm të bashkuar ndihmoni Kosovën dhe ndihmoni edhe Evropën për të cilën me vitë të tëra keni bërë fushatat e juaj për anëtarësimë në këtë familje demokratike. Kryeministri duhet vepruar sipas kushtetutës dhe situatës aktuale, Presidenca të mbajë kompetencat kushtetuese dhe së bashku me opozitën dhe organizatat joqeveritare ti dalin në ndihmë popullit dhe vendimeve të qeverisë. LDK të mbajë fjalën e dhënë me partnerin qeverisës dhe te heqë dorë imidiatisht nga mocioni për të rrëzuarë qeverinë, pa marrë parasyshë mosmarrëveshjet aktuale, ngase populli ka nevojë për ndihmën tuaj e jo për pazare politike.

Shpresoj ta kuptoni saktë këtë letër si një shprehje e shqetësimit tim të thellë për Kosovën. Popullit tim të dashur i rekomandoj të mbajë disciplinë dhe të respektojë të gjitha rregullat që dalin nga qeveria dhe nga organizatat shëndetësore. Mos dilni nga shtëpia pa pasur nevoja esenciale, ikjuni kontakteve sociale dhe mbajeni higjienën dhe pastërtinë tuaj.
Zoti bekoftë popullin e Kosovës.

I juaji Sami Musa,
Deputet në Parlamentin e Republikës së Hamburgut.
Hamburg, 24 Mars 2020