Lajme
“Dikur viktima të dhunës, tash të mentalitetit”
Silvije Buqaj Shehi: Shumë nga gratë e dhunuara në Kosovë janë të etiketuara, edhe pse janë viktima të dhunës dhe jo dhunuese
Silvije Buçaj-Shehi ka mbaruar masterin për kriminologji në Universitetin e Lozanës. Por, ndonëse bën pjesë në një numër të vogël kriminologesh femra – ndër shqiptaret në Zvicër është me siguri e vetmja – ajo nuk e ka pasur deri më tash fatin të punojë me punësim të rregullt, në profesionin për të cilin është specializuar.
Para pak muajsh ajo ka pasur rastin që në kuadër të programit MIDWEB që IOM e ka realizuar për llogari të Tribunalit të Hagës, të punonte një ekspertizë kriminologjike në Kosovë.
“Fjala është për një projekt i cili kërkonte ekspertë kosovarë që jetojnë dhe janë specializuar jashtë vendit, në fusha të ndryshme të dijes”, sqaron Silvija.
Për të si kriminologe ishte ky një rast i mirë që të paraqitej.
“Unë e kisha një ide se në Kosovë vepronte një shoqatë që merret me përkujdesjen e viktimave të luftës, dhe në veçanti me gratë e përdhunuara gjatë luftës. Për këtë arsye zgjodha si temë për ekspertizën që do të bëja, pikërisht funksionimin e shoqatës “Jeta në kastriot”. Duhej të gjeja përgjigje për pyetjet si: Sa i përfaqëson dhe sa i mbron kjo shoqatë gratë e dhunuara, a i ka kapacitetet e nevojshme për ta bërë këtë, cila është shtrirja e saj dhe a ka mbështetje nga shteti apo dikush tjetër?
“Nga ana tjetër, njohja e mëhershme me kryetaren e shoqatës, Luljeta Selimin, më lehtësoi edhe më shumë qasjen në këtë problematikë. Gjatë kohës sa kam qëndruar në Kosovë, me Luljetën kemi dalë vazhdimisht në terren për t`i vizituar gratë e dhunuara. Ato jetonion nëpër kampe jashtë qytetit, të izoluara. Shumë prej tyre vetëm me fëmijët, disa edhe me bashkëshortët. Por në shumicën e rasteve ato ishin të braktisura nga burrat e tyre.
“Nuk ka shifra të sakta, por janë disa mijëra”, thotë bashkëbiseduesja jonë, e pyetur për numrin e viktimave në fjalë. Shumë prej tyre nuk dalin kurrë nga shtëpia sepse janë të etiketuara. “Dhe, kjo është shumëfish tragjike, kur dihet se ato janë viktima të dhunës ndërsa trajtohen sikur të kishin qenë ushtruese të dhunës!
Silvija thotë se gjatë punës herë pas here ka pasur edhe mungesë mirëkuptimi nga bartësit e aktiviteteve në terren. “Ka ndodhur të na thonë: ne nuk na nevojiten këshillat tuaja por ndihmat konkrete materiale. Për këtë arsye unë edhe i kam rekomanduar IOM-it që ndoshta më mirë do të ishte të jipnin ndihma për atë kategori, të rrezikuar”, thotë Buqaj-Shehi.
Kur jemi te trajtimi që i bën shoqëria kësaj kategorie tragjike, Buçaj bën një paralele me Bosjnën, ku dhunimi i femrave si mjet politik, ka pasur përmasa edhe më të mëdha se në Kosovë.
“Në Bosnjë, gratë, viktima të dhunimit janë më të organizuara dhe më transparente, më pak i frikësohen opinionit. Ato madje edhe kanë protestuar dhe kanë kërkuar dëmshpërblim për dhunimin që kanë pësuar. E në Kosovë shumë fenra nga kjo kategori nuk guxojnë as të dalin! Ato ruhen sikur të kenë bërë krim dhe jo që janë viktima të krimit. Unë nuk e kuptoj pse ky izolim. Ato janë heroina të luftës. Por, ato nuk përfshihen në asnjë ligj, nuk gëzojnë mbrojtje, nuk kanë status të rregulluar”.
Puna e shoqatës, veç në sigurimin e ndihmave elementare konsiston edhe në sigurimin e shkollimit, aftësimit të viktimave të dhunës seksuale. Në disa raste ajo u ka ndihmuar atyre edhe për tu shëruar apo për kirurgji plastike. Ndihmat, vazhdon Shehi, ju vijnë nga individë, shqiptarë të pasur nga e gjithë bota, por edhe organizata ndërkombëtare. Por këto nuk jaftojnë. Prandaj kryetarja ka bërë disa herë kërkesa me shkrim për rregullimin me ligj të kësaj problematike, por deri më tash nuk ka asgjë.
Buçaj thotë se me familjet e viktimave, prindërit ose familjet e bashkëshortëve të tyre nuk kanë pasur asnjë shans që të kontaktonin. Ata i kanë përjashtuar vetë vajzat dhe gratë e tyre nga shtëpia, kështu që te ata nuk mund të depërtosh…”
Me gjithë kufizimet, Silvije Buçaj Shehi është e kënaqur me realizimin e projektit. “Jam e lumtur që së paku diçka është bërë. Pavarësisht a sjell menjëherë rezultate a jo. Unë shpresoj se më vonë në karrierë do të mundem ta shfrytëzoj dhe aplikoj këtë përvojë.
„Jeta në Kastriot“, me pak fjalë
Nga aktiviteti ynë në terren kemi identifikuar 2019 femra të kësaj kategorie ku 124 prej tyre kanë plagë të dukshme në trup ndërsa 3 kanë bërë vetëvrasje. Përveç traumave psikike dhe fizike ato përballen edhe me skamje dhe përbuzjen e rrethit por në shumë raste janë braktisur edhe nga bashkëshortët e tyre gjë që ato detyrohen të kujdesen edhe për fëmijët.
Shoqata me punën e saj deri më tash u ka mundësuar 186 femrave shërimin pothuaj të plotë, 32 femra janë duke i vijuar studimet gratis, 45 janë kualifikuar në zanate të ndryshme, 30 kanë kryer të gjitha nivelet e kurseve për kompjuter, 12 kanë kryer kurset e gjuhes angleze dhe 8 të gjuhes gjermane . 12 janë kualifikuar si kuzhiniere profesionaliste , 30 kanë kryer kurse per përkujdesje në çerdhe si edukatore kurse 6 presim ti ndihmojm të regjistrohen në fakultetin e edukimit. (nga faqja në internet e shoqatës „Jeta në Kastriot“)
E-Diaspora
-
Dënohet me burg të përjetshëm kosovari për tentativë vrasjeje të gruas në prani të fëmijës Një burrë e kishte goditur me thikë gruan e tij të ndarë më shumë se 20... -
Familja reagon për vdekjen tragjike të 22-vjeçari nga Kosova në Londër -
Amina Nuraj: “Unë, bija e Atdheut”, një rrëfim mbi identitetin shqiptar në Sanxhak -
Rame Lahaj dhe Fondacioni Rame Lahaj, zëri botëror në shërbim të një misioni kombëtar -
Disspora
Diaspora: 15 miliardë € në 18 vjet për Kosovën
Jeta në Zvicër
-
Gjykata urdhëron qeverinë zvicerane të publikojë kontratat për vaksinat Covid Qeveria zvicerane duhet të publikojë kontratat e saj me kompanitë farmaceutike për furnizimin me vaksina kundër... -
Viktimat e zjarrit në Crans-Montana kthehen në Zvicër për rehabilitim -
Pagesat me telefona të mençur tejkalojnë ato me kartë në Zvicër -
Treni i devijuar në Valais, linja Goppenstein–Brig e pezulluar deri të shtunën -
Fondet zvicerane të pensioneve regjistrojnë fitim, por pagesa e 13-të mund të krijojë presion financiar













