Kosova

Edhe 1500 të burgosur votojnë më 6 tetor

Kutive të votimit më 6 tetor do t'u drejtohen edhe të burgosurit. Brenda qelive, rreth 1 mijë e 500 të burgosur do të votojnë për përfaqësuesit e tyre në Kuvend. Votimi do të zhvillohet nëpër burgjet e vendit dhe sipas SHKK-së, nuk ka dallim nga qendrat e tjera të votimit. Ata kanë afat të regjistrohen për votim deri më 1 tetor

E diela e 6 tetorit edhe të burgosurit do t’i gjejë me fletëvotime në dorë. Pavarësisht se shumica e tyre janë të privuar nga liria, votimin do ta zhvillojnë sikurse të gjithë qytetarët e tjerë të vendit, shkruan gazetaexpress, përcjell albinfo.ch.

Këtë vit, nga burgjet do të votojnë më shumë se 1 mijë të burgosur e të paraburgosur.

Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi, i ka thënë Gazetës Express se numri i të burgosurve që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje shkon në mbi 1 mijë e 500. Nga i gjithë ky numër i votuesve nëpër burgje, vetëm 34 janë gra.

Por, Gashi thotë se ky numër mund të ndryshojë.

“Aktualisht, në qendrat korrektuese, qendrat e paraburgimit dhe në Burgun e Sigurisë së Lartë, numri i të burgosurve, të cilët kanë drejtë vote në zgjedhjet e 6 tetorit është rreth 1548.  Numri mund të ndryshojë. Nga rreth 1548 persona, 34 prej tyre janë gra”, thotë Gashi.

Procesi i votimit nëpër burgjet e vendit, sipas SHKK-së, nuk ka dallim nga ai që zhvillohet në qendrat e tjera të votimit.

Zëdhënësi i SHKK-së e ka shpjeguar se si zhvillohet i gjithë procesi i votimit nëpër qendra.

“Procesi zgjedhor zhvillohet njësoj si në të gjitha vendvotimet e tjera në Republikën e Kosovës, ekipet mobile të KQZ-së, sikur edhe herëve të tjera së bashku me materialin zgjedhor vendosen brenda institucioneve korrektuese në hapësirat të cilat i siguron SHKK. Të gjithë të burgosurit me të drejtë vote do të përcillen një nga një në qendrën e votimit brenda institucionit, ku secili i burgosur do të shfrytëzojë të drejtën e tij të votimit”, thuhet në përgjigjet e Gashit.