Kosova

Emisari britanik përfundon vizitën në Kosovë, mesazhi për asociacionin

I dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka përfunduar vizitën zyrtare në Kosovë dhe përmes një videoje ka lënë disa porosi.

Ai ka thënë se Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi përkrah pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës, ndërsa u shpreh se pas takimeve me krerët e Kosovës është njoftuar për disa çështje, ndër to edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, përcjell albinfo.ch.

“Në të gjitha takimet kam theksuar mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës. Kam dëgjuar me kujdes shqetësimin e thellë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë dhe kam përsëritur se Britania pret që autorët të japin llogari”, ka thënë ai.

Ai deklaroi se një mesazh të tillë e ka dhënë edhe në Beograd javën e kaluar.

“Ky ishte një mesazh që dhashë edhe në Beograd javën e kaluar. Kam dëgjuar nga serbët e Kosovës për shqetësimet e tyre dhe për shpresat e tyre për të ardhmen. Pas dhunës së muajve të fundit, tani me angazhimin e përforcuar të sigurisë ndërkombëtare, është koha për të adresuar këto shqetësime dhe për të vazhduar me përpjekjet ekzistuese për të siguruar që të gjithë qytetarët të ndjejnë se kanë një të ardhme dhe një Republikë të larmishme dhe multietnike të Kosovës”, ka thënë Peach.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se marrëveshjet e arritura Kosovë – Serbi duhet të zbatohen, e ndër to edhe themelimi i Asociacionit.

“Progresi në themelimin e një Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe konteksti i zbatimit më të gjerë, me marrëveshjet e arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është pjesë e rëndësishme e këtyre përpjekjeve”, ka thënë tutje ai.