Lajme

Erëra forta në Angli, bllokojnë trafikun ajror

Miliona britanikëve u është kërkuar që t’i anulojnë të gjitha udhëtimet

Raportohet se avionët u goditën aq fort nga rrymat e ajrit në disa aeroporte sa pilotët u detyruan t’i shmangnin uljet. Linjat ajrore anuluan dhjetëra fluturime, ndërsa disa fluturime kërkuan ulje më të sigurta në aeroporte të tjera, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se miliona britanikëve u është kërkuar që t’i anulojnë të gjitha udhëtimet dhe të qëndrojnë në shtëpi shkaku i erërave të fuqishme të stuhisë Eunice, që ka goditur Evropën Veriore. Shërbimet e motit në Britani kanë bërë të ditur se stuhia do të pengojë fluturimet shkaku i erërave që kanë arritur shpejtësinë deri në 150 kilometra në orë.

Nga stuhia është goditur edhe Londra. Autoritetet u kanë bërë thirrje londinezëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i shmangin të gjitha udhëtimet përveç nëse janë urgjente. Kjo është hera e parë që kryeqyteti përfshihet në gjendje emergjente shkaku i motit të ligë. Në zonën e rrezikut për jetën është përfshirë e gjithë Anglia jugperëndimore.

Avionët u goditën aq fort nga rrymat e ajrit në disa aeroporte sa pilotët u detyruan t’i shmangnin uljet. Linjat ajrore anuluan dhjetëra fluturime, ndërsa disa fluturime kërkuan ulje më të sigurta në aeroporte të tjera.

Stuhia Eunice është e dyta që ka goditur Evropën pas të parës që la të vdekur pesë persona në Gjermani dhe Poloni.

Meteorologët kanë thënë se stuhia është krijuar nga një rrymim i pazakontë në lindje të Oqeanit Atlantik. Erërat në zonat e larta të Britanisë kanë arritur deri në 250 kilometra në orë.

“Një vorbull e fuqishme si kjo mund të prodhojë seri të stuhive çdo dy ditë. Ka pasur shumë raste në të kaluarën kur stuhitë e fuqishme kanë kaluar nëpër Britani të Madhe dhe në disa pjesë të Evropës brenda pak ditësh”, ka thënë Peter Inness, meteorolog në Universitetin e Readingut në Angli.

Më shumë se 100.000 njerëz u goditën nga ndërprerjet e energjisë elektrike, ndërsa linjat u shkatërruan dhe drunjtë e lashtë u shkulën.

“Stuhia Eunice është me të vërtetë një goditje”, ka thënë meteorologu tjetër, Frank Saunders.

“Ne lëshojmë alarm të kuq të motit vetëm kur mendojmë se ka një kërcënim për jetën nga moti”, ka thënë ai.

Zyra e Meteorologjisë tha se era e fuqishme (196 km në orë) u regjistrua si një rekord për stuhinë më të fuqishme të regjistruar ndonjëherë në Angli.