Kosova

Familja Spahiu e pakënaqur me dënimin e kushëririt për vrasjen e familjarit

"Këtë vrasje me gjakftohtësi ky kriminel e ka bërë për motive të ulëta të parave që nuk i ka kthyer kurrë. Paratë që ka marrë për vite me radhë në besë për t`i ruajtur e që nuk janë pak por me qindra mijëra franga”, kanë thënë për albinfo.ch familjarët e të ndjerit

Dënimi me 15 vjet burg i 61-vjeçarit nga Kosova i cili qëlloi para dy vjetësh kushëririn e tij në rrugën Webergasse në St.Gallen nuk e ka kënaqur familjen e viktimës, Haki Spahiu.

Familja Spahiu nga Gjilani janë shprehur të zhgënjyer me drejtësinë zvicerane lidhur me këtë rast. Anëtarët e familjes kanë thënë se janë të befasuar me dënimin e ulët që i është dhënë dorasit.

“Kjo të le me kuptuar se si ka ecur ky proces gjyqësor, ku asnjë deklaratë dhe akuzë e familjes tonë nuk është përfshirë në aktakuzë, këtë vrasje me gjakftohtësi ky kriminel e ka bërë për motive të ulëta të parave që nuk i ka kthyer kurrë. Paratë që ka marrë për vite me radhë në besë për t`i ruajtur e që nuk janë pak por me qindra mijëra franga”, kanë thënë për albinfo.ch familjarët e të ndjerit.

Ata paralajmërojnë se do të ankohen në të gjitha nivelet gjyqësore brenda por edhe jashtë Zvicrës në rast se është e nevojshme.  

“Ne si familje SPAHIU jo që nuk jemi të kënaqur me vendimin e gjykatës së qytetit të St. Gallen, por jemi shumë të befasuar dhe të zhgënjyer me rastin tonë, se si është e mundur që një figurë politike e partisë socia demokrate  dhe president i sindikatave zvicerane gjithashtu edhe këshilltarë i lartë i parlamentit federal të Zvicrës si Paul Rechsteiner  të jetë avokat mbrojtës dhe del në gjykatë të arsyetojë një kriminel, e mos të jetë mbrojtës i një punëtori që u ekzekutua në pritë pas shpine midis qytetit duke shkuar në punë në ora 5 të mëngjesit, ku për 16 vite me radhë, vëllai  jonë i shërbeu me punë fizike dhe përkushtim e sjellje qytetit të tij dhe qytetarëve të St. Gallenit pa asnjë delikt”, thuhet ndër të tjera në reagimin e familjes që kanë dhënë për albinfo.ch.