Lajme

Fauci: Politika ndikoi në gjendjen e pandemisë

"Pandemia mbërriti në Shtetet e Bashkuara ndërsa vendi ishte nën mëshirën e ndarjeve politike, ku edhe vënia e një maske ishte më tepër një deklaratë politike sesa një masë e shëndetit publik"

Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive të vendit, tha se përçarja politike kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në numrin e madh të të vdekurve nga COVID-19 në SHBA, i cili të hënën kaloi shifrën 500,000.

Në një intervistë me Reuters, Dr. Fauci tha të hënën se pandemia mbërriti në Shtetet e Bashkuara ndërsa vendi ishte nën mëshirën e ndarjeve politike, ku edhe vënia e një maske ishte më tepër një deklaratë politike sesa një masë e shëndetit publik.

“Edhe në rrethanat më të mira, ky do të kishte qenë një problem shumë serioz,” tha Dr. Fauci, duke theksuar se megjithë respektimin e fortë të masave të shëndetit publik, vendeve të tilla si Gjermania dhe Britania e Madhe iu desh të përballeshin me vështirësi për të luftuar virusin.

“Megjithatë, kjo nuk e shpjegon se si një vend i pasur dhe i sofistikuar mund të ketë përqindjen më të madhe të vdekjeve dhe të jetë vendi më i goditur në botë”, tha Dr. Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe këshilltar i lartë i Presidenti Joe Biden. “Kjo besoj se nuk duhet të kishte ndodhur”, tha ai.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë vetëm 4% të popullsisë së botës, ato kanë regjistruar gati 20% të të gjitha vdekjeve nga COVID-19.

Dr. Fauci tha se shfaqja e varianteve më ngjitëse të koronavirusit, veçanërisht ato nga Afrika e Jugut dhe Brazili që kanë treguar se e ulin imunitetin nga infeksionet natyrore dhe vaksinat, e kanë bërë të vështirë parashikimin se kur Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje ta kapërcejnë pandeminë.

Dr. Fauci dhe Presidenti Biden kanë thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të rikthehen në pothuajse jetën normale të para-pandemisë rreth periudhës së Krishtlindjes. Por Dr. Fauci paralajmëroi se kjo mund të ndryshojë.

Variantet e ndryshme të koronavirusit gjithashtu e ndryshojnë ekuacionin kur bëhet fjalë për imunitetin e turmës, në të cilën një popullatë mbrohet nga infeksioni për shkak të niveleve të larta të imunitetit nga vaksinat ose infeksionet.

I pyetur nëse kjo është ende e arritshme, Dr. Fauci tha: “Unë mendoj se ne mund të fitojmë imunitetin e turmës të paktën duke mos u sëmurur.”/VoA