Kosova

NZZ: “Vetëvendosje arriti fitoren më të thellë në historinë e shtetit të Kosovës”

NZZ: "Vetëvendosje pothuajse ka dyfishuar votat që nga zgjedhjet e fundit dhe kështu ka arritur fitoren më të qartë në historinë e shtetit më të ri të Evropës. Edhe babait të pavarësisë kosovare, Ibrahim Rugovës, i ishte dashur të mjaftohej me më pak"

Kryetari i partisë së majtë Vetëvendosje, i cili u rrëzua vitin e kaluar, bëri një rikthim spektakolar. Rezultati i tij historik në këto zgjedhje paraqet një pikë kthese për vendin më të ri në Evropë. Sfidat për qeverinë e re janë të mëdha”, shkruan Volker Pabst nga Prishtina në gazetën prestigjioze zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ).

“Edhe në temperatura të akullta, mund të krijohet një atmosferë festive. Mbështetësit e Albin Kurtit festuan fitoren dërmuese të partisë së tij Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të së dielës në kryeqytetin e Kosovës Prishtinë deri natën vonë. Mijëra njerëz u bashkuan në sheshin qendror Skënderbeu në mbrëmje, pavarësisht temperaturave deri në minus dhjetë gradë. Emri i Kurtit dhe i partisë së tij u kënduan pandërprerje, sikurse edhe thirrja: “Albin! E gjithë Kosova është me ty! ”

Fitore historike

Politikani ndoshta më karizmatik në Kosovë në fakt ka të paktën gjysmën e popullit me vete. Me më shumë se 48 për qind, sa është shkalla e përkohshme,  Vetëvendosje pothuajse ka dyfishuar votat që nga zgjedhjet e fundit dhe kështu ka arritur fitoren më të qartë në historinë e shtetit më të ri të Evropës, përcjell albinfo.ch. Edhe babait të pavarësisë kosovare, Ibrahim Rugovës, iu desh të mjaftohej me më pak në vitet pas ndarjes nga Serbia.

Kjo është një nga arsyet pse shumë vëzhgues flasin për një pikë kthese. Kurti dhe mbështetësit e tij i quajtën zgjedhjet një referendum mbi gardat e vjetra dhe problemet për të cilat ata ishin përgjegjës në vend. Motoja e partisë së majtë-nacionaliste ishte thjesht “Drejtësi dhe punë”.

FAZ: Partitë humbëse urojnë fituesin, dëshmi qytetarie

“Ne do të bëjmë edhe gabime por qëllimet tona janë fisnike”, vendos gazeta kryesore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) në titullin e e artikullit një deklarim të Kurtit, të dhënë mbrëmë, me rastin e shpalljes së fitores üë Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Krerët e partive humbëse e përgëzuan Kurtin për fitoren dhe pranuan humbjen e tyre. Kjo nuk është aspak çështje e nënkuptueshme në Ballkanin Perëndimor, ku partitë humbëse shpesh pretendojnë se zgjedhjet janë falsifikuar ose regjistri zgjedhor është manipuluar, shkruan më tutje FAZ.

SRF: “Fituesi i madh quhet Albin Kurti”

Ndërsa Christoph Wüthrih, korrespondent i radiotelevizionit publik zviceran (SRF) për Evropën Juglindore analizën e tij e titullon “Fituesi i madh quhet Albin Kurti”.

“Elita e deritashme politike ka pësuar një humbje të rëndë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Fitoi partia e majtë-nacionaliste Vetëvendosje me programin e saj anti-korrupsion. Ajo ia doli të dyfishojë numrin e vendeve të saj në parlament, transmeton albinfo.ch shkrimin e publikuar nga SRF.

“Ishte më shumë një referendum sesa zgjedhje. Me fletët e tyre të votimit për partinë Vetëvendosje, njerëzit votuan kundër korrupsionit të shfrenuar në vend”, transmeto albinfo.ch. Ata kundërshtuan politikanët që qeverisën Kosovën për 20 vjet dhe të cilët u pasuruan gjatë këtij procesi. Këtyre politikanëve duket të mos u ketë interesuar fakti që shumica dërmuese në vend jeton në papunësi dhe varfëri – dhe si perspektivë të vetme e sheh emigrimin.

Pakënaqësia e madhe me këtë gjendje e ka bërë partinë Vetëvendosje forcën më të madhe politike dhe shefin e saj Albin Kurti kreun e qeverisë në zgjedhjet e fundit parlamentare më pak se një vit e gjysmë më parë. Por pas vetëm 50 ditësh, ai u përmbys nga funksioni pranverën e kaluar nga garda e vjetër me ndihmën e Presidentit të SHBA, Donald Trump.

Kjo patjetër që mbushi kupën, veçanërisht tek të rinjtë. Tani Kurti po kthehet – me një rezultat dy herë më të mirë dhe ai do të jetë përsëri kreu i qeverisë, përcjell albinfo.ch. Tani atij po i mungojnë vetëm disa vende për të bërë një shumicë absolute prandaj ai duhet të gjejë mbështetjen e nevojshme nga pakicat kombëtare.

Pritje të mëdha 

Pritjet për Kurtin janë të mëdha: ai duhet të sigurojë që të ndalet sa më shpejt zbrazja e fondeve të shtetit në xhepat privat . Nëse ekipi i tij futet në të njëjtat ujëra sikur të vjetrit, atëherë votuesit do të largohen prej tij po aq shpejt sa vrapuan tek ai – kështu thonë shumë vëzhgues politikë në Kosovë.

Por ekziston gjithashtu mundësia që Kurti të humbasë përsëri pozicionin e tij para se të provojë se çfarë është në gjendje të bëjë si kryeministër. Qysh në pranverë, ekipet e gardës së vjetër kanë një mundësi tjetër për ta bërë atë të dështojë, transmeton albinfo.ch. Kjo për faktin se duhet të zgjidhet presidenti i shtetit dhe kjo kërkon shumicën prej dy të tretave të deputetëve. Nëse kjo nuk ndodh, parlamenti duhet të prishet menjëherë dhe të shkohet sërish në zgjedhje.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI