Lajme

Filtrohet lista e veteranëve të luftës

Hashim Thaçi: Eshtë një ditë e veçantë, sepse nga sot po nisë mbështetja institucionale për ish-guerilët e UÇK-së

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-drejtor i Drejtorisë Politike të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka qenë i pari që ka plotësuar listat e veteranit të luftës, për t’ia hapur rrugën të gjithë ish-guerilëve të UÇK-së që të plotësojnë listat për të dëshmuar praninë e tyre në luftën e fundit.

I dytë pas kryeministrit ka qenë ish-komandanti i UÇK-së, Agim Çeku, ministër i FSK-së, i cili është edhe kryetar i Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve. Me plotësimin e listave nga dy ish-udhëheqësit e luftës, ka nisur zyrtarisht filtrimi i listave të ish-guerilëve të luftës.

Deri në shkurt të vitit 2013 sa do të zgjatë ky aplikim, do të dihet saktësisht se kush ka qenë ushtar i UÇK-së, kush ka rënë dëshmor dhe kush i ka lënë gjurmët nëpër betejat e luftës. Të gjitha kategoritë e luftës nga sot mund të aplikojnë për njohjen zyrtare të statusit të tyre, në çdo komunë, ku janë zyrat e shoqatave të dala nga lufta.

Pas aplikimit secili duhet të kërkojë vërtetimin e këtyre të dhënave,nga zinxhiri komandues, duke filluar nga komandanti i skuadrës, deri  te komandanti i Zonës Operative, apo deri te Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

Kryeministri Thaçi pasi që e plotësoi listën e veteranit, tha se kjo është një ditë e veçantë, si një prej bashkëthemeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që të plotësojë aplikacionin e veteranit të luftës.“Ndjehem tepër krenar për këtë 100 vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë dhe 5 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, të fillojmë edhe implementimin e procesit të përkujdesjes institucionale shtetërore për kategorinë e veteranëve të luftës”, tha ai.

Kryeministri i ftoi me këtë rast të gjithë veteranët që të aplikojnë dhe ta përmbyllim suksesshëm këtë proces. “Shteti i Kosovës është mirënjohës për të gjithë veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës…nga sot, fillon përkujdesja institucionale shtetërore edhe për veteranët e luftës”, tha Thaçi.

Ndërsa ministri i MFSK-së, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Agim Çeku, pas plotësimit të aplikacionit tha se kjo është një ditë e veçantë, ndërsa kërkoi që procesi të përmbyllët suksesshëm.

“Jam i lumtur që edhe këtë proces e kemi nisur bashkërisht me z.Thaçi, bashkëluftëtarin tim, me kryeministrin tim, dhe jam i sigurt se si të gjitha proceset më përpara, edhe këtë proces do ta kryejmë bashkë dhe do ta kryejmë me sukses”, tha Çeku.

Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli u shpreh i kënaqur që më në fund njerëzit që e bënë revolucionin do të kenë mbështetje institucionale.

“Tash e tutje, pas këtij verifikimi, ne besojmë që shumë shpejt do të bëhet edhe amendamentimi i Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së, ku të gjithë ata që kanë kontribuar në luftë, do të kenë trajtimin e merituar në mënyrë institucionale dhe shtetërore”, tha Xhemajli.

Qeveria e Kosovës në janar të këtij viti e formoi një komision për të vërtetuar se kush ka qenë dhe kush jo, ish-gueril i UÇK-së. Në krye të komisionit fillimisht u vendos ish-komandanti i gueriles, Azem Syla, mirëpo pas disa muajsh, ai dha dorëheqje, ndërsa punën e tij e vazhdoi ish-komandanti tjetër i UÇK-së, gjenerali Agim Çeku.

Verifikimi i listave të UÇK-së ka ardhur pasi që pas përfundimit të luftës listat e veteranëve u frynë tepër, duke rritur dyfish numri i atyre që kanë qenë në luftë. Që mos të këtë implikime të mëdha buxhetore Qeveria vendosi që të filtrojë listat. Të gjitha ata që gënjejnë se kanë qenë në UÇK do të ndëshkohen me ligj.