Kosova

Flet babai i Naim Murselit, thotë se u trondit kur kuptoi rrethanat e vrasjes së Liridonës

Babai i Naim Murselit ka dhënë një intervistë për mediat kosovare, në të cilën ka rrëfyer për rastin e Liridona Ademajt, e vrarë para pak ditësh nga bashkëshorti i saj që dyshohet se pagoi vrasësit, ngjarje kjo që ka tronditur vendin.

Ai ka treguar momentin e rëndë kur mori lajmin për vrasjen e Liridona Ademajt. Ai rrëfeu se sapo ka hyrë në shtëpi në Suedi, djali i tij i dytë e ka thirrur për t’ia dhënë lajmin e vrasjes së Liridonës.

“Unë diku rreth orës 8:20 porsa kam hyrë në shtëpi në Suedi, me ka thirr djali i dytë edhe veç me kanë thënë ‘Babë, e kanë vra Liridonën’. Aty plasi vaji. Liridonën e kemi dashtë më shumë se fëmijët e mi. Kemi udhëtuar 35 orë. Gjatë rrugës, unë e kam parë intervistën e dhënë nga Naimi. ‘Na dolën hajnat në rrugë, na i plaçkitën gjërat. Unë ika me fëmijë, gruan ma vranë’. Të vetmin detaj atë e kam pasur. Nuk kisha mundësi edhe me vozitë edhe me përcjellë media“, u shpreh ai.

I pyetur për momentin kur ka kuptuar se djali i tij akuzohet se ka porositur vrasjen, ai tha se ka qenë në një moment të vështirë dhe nuk ka pasur mundësi të përcjellë media ose të marrë informacione të tjera rreth ngjarjes.

“Besoni, ju betohem… dikush kish pas informacione të ndryshme, por unë meqë kam qenë që i thojnë ‘kryeshnosh’, kurrë asnjë indikacion s’e kam ditë. U kry varrimi, jam ardh në shtëpi plot me njerëz para pas t’u folë, qatëherë e kam taku djalin tim edhe m’u ka vërsul tha ‘mos jep deklarata se i prish hetimet’. I thashë që unë s’kam informacion, unë fola vetëm çka dëgjova”, rrëfen ai.

Madje në një moment ai shprehet: “Me pas ditë që e ka ba djali jem, ai nuk do ishte sot gjallë, isha hakmarrë unë”.

Ai ka mohuar të ketë komunikim me Naimin pas arrestimit, derisa ka treguar se si është tronditur kur është njoftuar nga Policia se Naim Murseli dyshohet se ka porositur vrasjen e Liridona Ademajt.

“Unë jam shumë i tronditur. Liridonën e kam dashtë më shumë se vajzat e mia. Ishin disa policë aty, kontrolluan, nuk kishte asgjë. Një polic kërkoi ta lirojmë dhomën. Jemi ulur në krevat unë e ai polici. Më tha ‘Zotëri po me vjen shumë keq, kemi prova të mjaftueshme që Naimi është kryersi i veprës’. Aty unë jam trondit, sepse me ma pas dhënë krejt botën nuk do të më shkonte as mendja që djali im e bën atë”, tha në fund të intervistës së tij babai i Naim Murselit.