Kosova

Gërvalla: Rusia ngeli e vetme në përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar pasi Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara hodhi poshtë kërkesën e Rusisë për të diskutuar ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Jugosllavisë, përcjell albinfo.ch.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe shtetet e tjera perëndimore abstenuan në votim, duke parandaluar futjen në agjendë të diskutimit temën për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë 25 vjet më parë.

E lidhur me kërkesën e Rusisë dhe dështimin, ka reaguar ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ajo në një postim në Facebook shkruan se Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën

“Bashkë me aktivisten e shquar dhe ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila sot është e dërguara e posaçme e presidentes Osmani për çështje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, ishim në selinë e Kombeve të Bashkuara, për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të thirrur nga Rusia në një tentativë për të ngritur paralele absurde dhe të papranueshme mes ndërhyrjes së NATO-s dhe luftës agresive për aneksimin e territorit të Ukrainës.

Të gatshme për të paraqitur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit faktet rreth krimeve gjenocidale të Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, përshëndetëm megjithatë unitetin e partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë për moslejimin e mbajtjes së kësaj seance propagandistike. Rusia mbeti e vetme në përpjekjet e saj të rrezikshme për ta shfrytëzuar Këshillin e Sigurimit për të shtrembëruar të vërtetën”, shkruan ajo.

Ministrja e Jashtme më tej thekson se me vetëm 3 vota pro (mes tyre Federata Ruse) dhe 13 abstenime, iniciativa e Rusisë nuk kaloi.

“Qindra masakra të tmerrshme që Serbia bëri në Kosovë, vrasja mizore e 1432 fëmijëve, përdhunimi i mijërave grave, vajzave, burrave dhe fëmijëve, zhdukja e viktimave të luftës dhe shkatërrimi i pasurisë së Kosovës ishin dhe mbeten fakt.

Por,  po aq mbetet fakt që Kosova sot është shtet i pavarur dhe sovran i qytetarëve të saj. Në 25 vitet e pasluftës, Kosova ka avancuar në zhvillim të demokracisë, sundim të ligjit, respektim të të drejtave të njeriut, zhvillim ekonomik dhe integrim në mekanizmat ndërkombëtar, ndërkohe që Serbia dhe Rusia kanë mbetur në të kaluarën e tyre të errët, që fatkeqësisht po i përcjell edhe sot dhe që po i çon drejt izolimit”, shkruan ndër të ministrja.