Kosova

Gjashtë mërgimtarë dhurojnë 30 mijë euro që të gjendet vrasësi i Deçanit

U bënë një javë që nga ngjarja tragjike në Deçan, ku tre persona humbën jetën, përfshirë dy nxënës dhe shoferin e autobusit, pasi drejt mjetit u qëllua me breshëri kallashnikovi, ka mbetur ende pa autor, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria ende nuk kanë arritur të zbulojnë se kush e kreu sulmin e trefishtë, e nuk kanë as ndonjë të dyshuar.

Qeveria e Kosovës ka ofruar 20 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacione rreth këtij krimi, por për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, edhe 6 emigrantë kanë ofruar 30 mijë euro të tjera, të mbledhura prej tyre.

Mes tyre është edhe ish-zyrtari i lartë i UÇK-së, Naim Miftari, i cili tani jeton në Perëndim. Miftari tha se bashkë më shokët e tij kanë mbledhur nga 5 mijë euro secili për informacione që do të bëjnë të hidhet dritë mbi krimin masakër të Gllogjanit.

“Ne nuk jemi milionerë, e as nuk kemi para si pushtetet e kaluara. Edhe pse shpesh përbuzemi ne që jetojmë në mërgim me emra neveritës, jemi zotuar të japim këtë shumë. Ne jemi gjashtë veta, punëtorë në fabrikë dhe do t’i dhurojmë nga 5 mijë euro secili”, është shprehur ai, duke shtuar se “fëmijët tanë, nxënësit, djemtë dhe vajzat tona nuk do t`i vrasë më askush pa marrë dënimin e merituar”.