Kosova

Gjendja e gripit u rëndua për mungesë të vaksinave

Problemi sivjet ishte se vaksinat kundër gripit sezonal kanë munguar, ndërkohë që afati më i përshtatshëm për marrjen e tyre thuhet se është fundi i muajit tetor

Rreth 10 mijë persona janë diagnostikuar si të prekur nga gripi sezonal në Kosovë në javët e fundit. Por, ky numër nuk e kalon pragun epidemik, thonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Aktualisht, bëhet e ditur se dy persona me grip janë të shtrirë në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Numri më i madh i rasteve raportohet të jenë nga komuna e Prishtinës, pastaj nga ajo e Prizrenit dhe Podujevës.

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës thonë se në periudhën e gripave duhet të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjeç, si dhe personat me sëmundje kronike. Vaksinimi bëhet në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Por, problemi sivjet ishte se vaksinat kundër gripit sezonal kanë munguar, ndërkohë që afati më i përshtatshëm për marrjen e tyre, thuhet se është fundi i muajit tetor.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë doktori Nexhmedin Hoti i tha Radios Evropa e Lirë se vaksinat pritet të jenë në dispozicion për qytetarët javën e ardhshme.

“Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se vaksinat nga java tjetër do të shpërndahen nëpër të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në Kosovë. Po të kishte mundësi t’i merrnin më herët vaksinat, do të ishte më mirë. Por, edhe tash kur furnizohemi është mirë të vijnë njerëz dhe të vaksinohen’’, tha Hoti.

Në anën tjetër, infektologu Sali Ahmeti tha se dy personat e shtrirë në Klinikën Infektive janë të konfirmuar me influencë A të gripit dhe janë në gjendje të rëndë, por po mbahen nën monitorim dhe përkujdesje të vazhdueshme.

“Sigurisht që raste të gripit ka shumë, por këto dy raste janë në gjendje të rëndë. Sa u përket vaksinave, do të ishte mirë që qytetarët të vaksinoheshin shumë më herët. Vonesa e tyre, sigurisht, që ka rritur numrin e të prekurve me grip, por edhe shfaqje të formave më të rënda dhe komplikime te qytetarët”, sqaroi Ahmeti.