Lajme

Gjermani, gjasat për azil janë zero

Manfred Schmidt nga Zyra Federale, tha se është arritur pajtimi që të fillojë procesi i kthimit të detyruar të azilkërkuesve në Kosovë. Azili ekonomik, sipas tij, nuk ekziston

Autoritetet gjermane ua kanë hequr të gjitha shpresat qytetarët e Kosovës se Gjermania nuk jep azil për kosovarët, ndërsa lajmi se refugjatëve iu jepen viza, janë të pavërteta. Ky mesazh ka ardhur nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë pas një lajmi dhënë në mediet lokale, se azilkërkuesve në gjermani po u lëshohen viza.

Në media u publikua një lloj ID-e, lëshuar nga autoritetet gjermane për azilkërkuesit kosovarë. Kjo ID u interpretua një lloj vize gjermane për azilantë.

“Ky është një titull i veçantë qëndrimi në bazë të nenit 55 të ligjit për procedurën për dhënien e azilit, që çdo azilkërkues e merr automatikisht në kohën kur aplikon për azil në Gjermani. Ky dokument është i vlefshëm vetëm për periudhën e përpunimit të kërkesës për azil”, thuhet në qëndrimin e Ambasadës.

“Nëpërmjet tij i lejohet azilkërkuesit që të qëndrojë në një zonë të caktuar të kufizuar në Gjermani në kushte të veçanta. Zakonisht kjo vlen për jo më shumë se tre muaj”, është thënë në përgjigjen e ambasadës gjermane.

Edhe Manfred Schmidt, president i Zyrës Federale Gjermane për Migracion dhe Refugjatë, ka thënë për DW se shanset për azil të kosovarëve në Gjermani janë zero. Ai pranon se gjatë muajve të fundit, e veçanërisht ditëve të fundit, është shtuar dukshëm numri i kosovarëve në Gjermani.

Ndërsa sa i përket pyetjes, se a mund të shpresojnë këta njerëz fillimin në Gjermani të një jete më të mirë, përgjigja siç tha ai është “Jo”.

“Ne kemi ndryshuar procedurat tona dhe kërkesat e personave me nënshtetësi kosovare për azil po përpunohen me procedurë të përshpejtuar. Ne po përpiqemi që vendimi për secilin rast të merret sa më parë që është e mundur. Kuota e mundësisë për njohjen e së drejtë së azilit është gati 0,0 %”, deklaroi ai.

Pra kosovarët, sipas Schmidt, nuk kanë shanse që të fitojnë të drejtën e azilit në Gjermani.

“Ne kemi rënë dakord me landet që sa më parë të fillojmë procesin e kthimit të detyruar në Kosovë. Kjo do të thotë që këtyre personave do t’u ndalohet edhe hyrja në të gjitha vendet e Shengenit”, deklaroi Schmidt.

Ai po ashtu tha se zzili për shkaqe ekonomike nuk ekziston. “Gjendja e rëndë ekonomike apo varfëria nuk janë shkaqe, të cilat, sipas Konventës së Gjenevës për Refugjatë, dikujt i mundësojnë strehim. Varfëria nuk është shkak për strehim në Evropë”, deklaroi mes tjerash Manfred Schmidt, president i Zyrës Federale Gjermane për Migracion dhe Refugjatë.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI