E-Diaspora
Grumbullohen 16,200 franga zvicerane në Cyrih për nënat dhe foshnjet në Kosovë
Të gjitha shitjet e biletave do të mbështesin programet e Fondacionit ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ në Kosovë. Albinfo.ch e ka mbështetur edhe këtë herë këtë aktivitet humanitar në Cyrih

Është përmbyllur me sukses ngjarja bamirëse “Shpëto Jetë” e cila u mbajt më 12 maj në Hotelin Marriott në Cyrih, Zvicër, me të cilin rast performoi artistja e mirënjohur Elina Duni, ku dhe mbajti një fjalë rasti Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Nazane Breca, raporton albinfo.ch.
Kjo mbrëmje bamirëse e organizuar nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë dhe bashkë-organizatorët Dr. Agron Abrashi dhe Ridvan Murati u mbajt me qëllimin e ngritjes së fondeve nga Diaspora për uljen e shkallës së vdekshmërisë të foshnjave në Kosovë.
“Nënat dhe fëmijët janë pjesa më e ndjeshme dhe më e rrezikuar e popullit tonë në Kosovë. Të shpëtosh jetë është gjesti më bujar, fisnik dhe humanitar që tregon një solidaritet të jashtëzakonshëm në mes nesh. Por, të shpëtosh jetën e nënave dhe fëmijëve paraqet një prioritet më madhor dhe më të veçantë”, deklaroi Abrashi.
Gjatë mbrëmjes shumë personalitete të shquara dhanë kontributin e tyre dhe dhuruan fonde në koktein tre-orësh. Pjesë e organizimit të ngjarjes ishte edhe një ankand i qetë, të cilit i kontribuuan personalitete si ikona e bukurisë dhe ndërmarrësja Agnesa Vuthaj, kreatorja e modës Drenusha Xharra, kreatorja Njomëza Luci, kompania angleze e syzeve të punuara nga druri Campbell Marson, si dhe punime argjile nga “Dhe by Granita”.
Pjesë e ankandit ishin edhe dy fotosesione nga artistët Fjoralba Kryemadhi dhe Rromir Imami, si dhe u dhuruan foto artistike nga Barabara Burri. Në ankand kontribuuan edhe ‘Ristorante Da Paulo’, Kosova Wine me prodhimet të verës, si dhe Royal Rental Car.
“Solidariteti dhe mbështetja e treguar nga bashkëkombësit dhe miqtë tanë këtu në Cyrih na jep vullnet të vazhdojmë betejën për uljen e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë. Kontributi i gjithsecilit luan rol kyç në punën tonë dhe jemi falënderues të kemi një Diasporë kaq aktive dhe me vullnet të palodhshëm për të mbështetur kauzën shqiptare”, tha Koordinatorja e Ngjarjes nga ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’, Janine Mehmeti.
Të gjitha shitjet e biletave do të mbështesin programet e Fondacionit ‘Aksioni për Nëna dhe Fëmijë’ në Kosovë, specifikisht në: furnizimin me pajisje mjekësore në Klinikat e Gjinekologjisë, Pediatrisë dhe Neonatologjisë, mbështetjen e dorëzimit të medikamentit Surfaktant për nevojën kombëtare,zhvillimin e sistemit të transportit neo-natal, zgjerimin e ‘Klasave për Nëna‘ si dhe skrinimin e kancerit të qafës së mitrës.
Ngjarja u bë e mundur falë mbështetjes së shumë partnerëve vendor si dhe ndërkombëtar si Solidar Suisse, Fondacioni ‘Unë e Du Kosovën’, platforma Albinfo.ch, kompana Eurokoha, si dhe platforma Jamatu. Sponsor medial i kësaj ngjarje ishte albinfo.ch.
Fotograf: Rromir Imami
LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI
Jeta në Zvicër
-
BAG: Rënie e mëtejme e infeksioneve me koronavirus në Zvicër 37 pacientë me Covid-19 ndodhen në kujdes intensiv, që është 26 për qind më pak krahasuar...
-
Prodhuesi zviceran i çokollatës Lindt largohet përfundimisht nga tregu rus
-
Viti i ri shkollor nisi në 15 kantone zvicerane
-
Bie niveli i ujit në disa liqene të Zvicrës
-
Frangu zviceran sot shënoi histori kundrejt euros