Kosova

Guvernatori i BQK: Pandemia uli remitencat në Kosovë për 14%

“Në muajt prill-maj rreth 140 milionë euro ka qenë vlera e remitencave që janë pranuar në Kosovë, ndërkaq krahasuar periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka rënie deri në 14 për qind

Deri në 14% konsiderohet të ketë rënë shkalla e remitencave në Kosovë, si pasojë e pandemisë. Këtë e ka pohuar guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti në një intervistë për Ekonomia Online. Ai është shprehur se në muajt prill dhe maj kanë pranuar rreth 140 milionë euro, që është dukshëm më pak krahasuar periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Në muajt prill-maj rreth 140 milionë euro ka qenë vlera e remitencave që janë pranuar në Kosovë, ndërkaq krahasuar periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka rënie deri në 14 për qind. Presim që edhe deri në fund të vitit të vazhdojë kësisoj, marrë parasysh faktin që edhe vendet prej të cilave ne i presim remitencat janë goditur prej pandemisë”.

“Ne mund ta krahasojmë krizën pandemike me krizën e vitit 2008, ku kemi pasur një krizë financiare, që kemi pasur rënie të remitencave deri në 5 për qind dhe ka vazhduar ndër vite. Kështu që pritjet tona janë që të kemi rënie të remitencave nga 10 deri në 14 për qind”, u shpreh Mehmeti.

Dëmet që do t’i shkaktohen ekonomisë në Kosovës do të jenë të mëdha sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka.

Zeka për Ekonomia Online thotë se këto dëme janë shkaktuar si pasojë e dështimit të shtetit për të tërhequr investime të jashtme dhe ato të brendshme.

“Në secilin raport që vlerëson ekonominë, përfshirë edhe ato të organizatave kredibile ndërkombëtare siç është Banka Botërore, por edhe në deklaratat tona të përgjithshme si përfaqësues të sektorit privat, e kemi thënë vazhdimisht struktura ekonomike e vendit është relativisht e paqëndrueshme dhe varet në masë të madhe nga dërgesat nga diaspora”, u shpreh ai.

“Për aq kohë sa ne kemi dështuar t’i tërheqim investime të jashtme dhe kemi dështuar të nxisim investimet e brendshme, atëherë natyrisht që ndikimi i shkurtimit të remitencave do të jetë i dukshëm në ekonominë tonë dhe që mund të ndikojë edhe në reduktim të qarkullimit të parasë së gatshme në muajt në vijim, më konkretisht në pjesën e fundit të vitit 2020”.

Zeka u shpreh se diaspora ka pasur ndikim edhe në mënyra tjera, jo vetëm në remitenca. Thotë se diaspora ka dhënë kontribut edhe përgjatë vizitave në Kosovë, raporton EO.

“Ndikimi i diasporës nuk është shprehur vetëm në dërgesa që ata i kanë bërë përmes kanale formale, por edhe përmes kontributit tjetër që diaspora e ka pasur përgjatë vizitave të tyre në Kosovë”.

“Në masë të madhe ekonomia jonë është e varur nga diaspora, qoftë nga dërgesa ose edhe në kontributet tjera, prandaj reduktimi i këtyre kontributeve të diasporës do të vërehet pashmangshëm në muajt në vijim”, u shpreh ai.