Kosova

Haxhi Shala deklarohet i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës në Hagë

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Haxhi Shala është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës me të cilat ngarkohet nga kjo gjykatë, përcjell albinfo.ch.

Ani pse gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, kishte planifikuar që deklarata e pranimit të fajësisë ose mospranimit të bëhet në një konferencë tjetër, mirëpo mbrojtja e Haxhi Shalës, Laurens Van Puyenbroeck, bëri një kërkesë të tillë.

“Ka të bëjë me deklarimin e z.Shala. siç e keni konstatuar në paraqitjen e tij të parë, ai nuk është deklaruar mbi fajësinë apo pafajësinë e tij duke pasur parasysh informacionet shumë të kufizuar që i janë dhënë atij në këtë moment. Ai më ka transmetuar qëndrimin e tij të qartë në këtë moment dhe dëshiron që ta shprehë këtë në gjykatë. Nuk e di nëse është e mundur. E kuptoj që nuk është çështje që lidhet me çështjen e materialeve, por desha ta nënvizoj në kohë. Ai dëshiron që të japë deklaratë të përgjithshme lidhur me deklarimin e tij”, tha Laurens Van Puyenbroeck, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa sa u përket hetimeve, Përfaqësuesja e ZPS-së, Tans Shahabbudin, tha se janë në vazhdim e sipër.

“Lidhur me hetimin, hetimi është në vazhdim e sipër. Megjithatë presim që do të ketë vetëm disa hapa shtesë në këtë fazë duke pasur parasysh provat që tashmë i kemi vlerësimi i jonë është që kjo do të na çojë në janar 2024. Natyrisht këtë e them që duhet marrë parasysh kushtin që nëse dalin prova të reja dhe që të lëmë hapësirë për këtë mundësi. Sa i takon llojit të provave që ne synojmë t’i paraqesim në gjykim, kemi prova të dokumentuara, materiale, të dhënat nga thirrjet telefonike, thirrje telefonike, transkripte nga deklarata të ndryshme si dhe dëshmitarë”, tha ajo.

Sa i përket numrit të dëshmitarëve, ZPS-ja tha se është mbështetur në deklaratat e dy prej tyre.

“Në parashtrimet e tona me shkrim kemi paraqitur një listë të këtyre provave që do të përbëjnë materiale të rregullës 102 (A) lidhur me numrin e dëshmitarëve, ZPS-ja është mbështetur në deklaratat e dy dëshmitarëve lidhur me aktakuzën e konfirmuar dhe synon që dëshmia e tyre të paraqitet në gjykim”, tha përfaqësuesja e prokurorisë.

Ndërsa mbrojtja e Shalës, tha se nxjerrja e materialeve në mënyrë të përshpejtuar është e rëndësishme për çështjen e paraburgimit.

“Nxjerrja e materialeve e përshpejtuar është tejet e rëndësishme për çështjen e paraburgimit sepse një nxjerrje e tillë do t’i japë mundësinë mbrojtjes që të bëjë një kërkesë, një mocion lidhur me këtë dhe përpara se të vlerësojmë nevojën e paraqitjes së një kërkesë të tillë, mbrojtja ka nevojë që të shqyrtojë të gjitha materialet relevante dhe kjo më teje nënvizon nevojën e nxjerrjes së materialeve në mënyrë të përshpejtuar”, tha Van Puyenbroeck.

Ndërsa, Prokurorja tha se do t’ua japin mbrojtjes të gjitha materialet jo më larg se data 26 janar 2024.

Sa u përket materialeve mbështetëse të aktakuzës, gjyqtari i procedurës paraprake tha se ZPS-ja synon që t’i nxjerrë ato jo më larg se 11 janari 2024.

Në aktakuzën e datës 12 dhjetor 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly West, akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shala i njohur ndryshe si komandant “Topi”, hënën e 11 dhjetorit ishte intervistuar në zyrat e EULEX-it, ndërsa të martën është transferuar në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.