Maqedonia

Hungaria nuk do t’i jap azil politik Gruevskit

Eurodeputeti Knut Fleckestein, thotë se autoritetet hungareze nuk do të miratojnë kërkesën e Nikolla Gruevskit për azil politik.

Përmes një postimi në Twitter, ai shkruan se ka pasur mendimin se Viktor Orban asnjëherë nuk ka miratuar kërkesat për azil në vendin e tij, raporton “alsat”.

“Vështirë mendoj se Qeveria e Hungarisë do të miratojë kërkesën për azil politik për ish-kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski. Për një gjë, Gruevski mund të jetë i sigurt për një proces të rregullt në Shkup dhe e dyta, çdo herë kam menduar se Orban nuk pranon kërkesa për azil në vendin e tij”, shkruan Fleckenstein, përcjell albinfo.ch.

Përndryshe, ish-kryeministri Nikolla Gruevski gjatë ditës së djeshme përmes një postimi në Facebook njoftoi se gjendet në Budapest dhe se ka kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze.

Ndërkohë, paraburgimi për të akuzuarit në lëndën “Titanik”, Mile Janakieski dhe Kirill Bozhinovski është kërkuar pasi që gjatë ditës së djeshme. Prokuroria Speciale Publike (PSP) ka marrë informacione se ata janë duke u përgatitur të arratisen në të njëjtën mënyrë si edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, sqaroi para gjykatës prokurorja e PSP-së, Lile Stefanovska në fillim të seancës së sotme për lëndën “Titanik”.

Ajo kërkoi nga gjykata, që Gruevski, i cili gjithashtu është një prej të akuzuarve në këtë lëndë, të gjykohet në mungesë.