Lajme

Ikea e Zvicrës u paguan punëtorëve të saj rrogën e 14-të

“Për më tepër, ata do të kenë edhe një ditë pushimi shtesë". Arsyeja për këtë është viti i mbarë financiar i cili ka përfunduar në gusht, 2021

Edhe Ikea, ashtu sikurse e gjithë ekonomia botërore po ndjen problemet e furnizimit në tregtinë globale. Por, gjiganti i mobiljeve megjithatë ja doli ta mbyllte me fitim të madh vitin e tij financiar.

Rrjedhimisht, punonjësit përfitojnë nga kjo.

Kështu, punonjësit e Ikea-s në Zvicër këtë vit do të marrin pagën e 14-të të vitit. “Për më tepër, ata do të kenë edhe një ditë pushimi shtesë”, shkruajnë mediat zvicerane.

Arsyeja për këtë është viti i mbarë financiar i kaluar, i cili ka përfunduar në gusht, 2021.

Shtëpia suedeze e mobiljeve ka arritur një rezultat rekord dhe të qarkullimit, prej 1,227 miliardë CHF në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Biznesi online po ashtu u rrit shumë, gjegjësisht 23.3 për qind.

Kjo rritje e fundit (shitja online) vjen për shkak, ndër të tjera, edhe të pandemisë së koronës, pasi në këto kushte orenditë e blera online dhe në përgjithësi tregtia në internet, është duke lulëzuar gjithandej.