Shqipëria

Investimi i madh në Shqipëri me 6.5 milionë euro dhe 600 të punësuar

Aktiviteti ekonomik i “Yura”, do të fillojë në Shqipëri brenda vitit 2019, ku do të punësohen rreth 600 punonjës, ndërsa vlera e investimit është parashikuar 6,5 milionë euro në fazën e parë

Një ndër kompanitë e njohura në botë për prodhimin e elementeve elektrike të automjeteve ka hyrë zyrtarisht në Shqipëri, ku do të zhvillojë aktivitetin e saj.

Kompania nga Koreja e Jugut “Yura Corporation” ka vendosur të zhvillojë aktivitet në Shqipëri pas negociatave të zhvilluara më herët.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë, Anila Denaj, priti në një takim zyrtar përfaqësuesin e kësaj kompanie Lukas Nam.

“Pasi bëmë një studim edhe në vendet e tjera të rajonit, zgjodhëm Shqipërinë për të investuar për shkak të fuqisë punëtore të kualifikuar, kostove konkurruese, pozitës gjeografike, si dhe incentivave lehtësuese nga ana e qeverisë shqiptare dhe përkrahjes të AIDA-s”, u shpreh Nam, transmeton ‘Scan’.

Referuar njoftimit zyrtar, plani i biznesit i propozuar nga kjo kompani synon zhvillimin e zonës më një sipërfaqe rreth 4.9 ha, pronë shtetërore, e njohur si “Baza e Tubove” që ndodhet në Zhupan të Fier.  Kjo zonë është përcaktuar si zonë me përparësi zhvillimi për këtë industri nga qeveria në 2018, përcjell albinfo.ch.

Aktiviteti ekonomik i “Yura”, do të fillojë në Shqipëri brenda vitit 2019, ku do të punësohen rreth 600 punonjës, ndërsa vlera e  investimit  është parashikuar 6,5 milionë euro në fazën e parë.

Faza e dytë e këtij projekti parashikon një ri-investim me 13 milionë euro dhe numrin e punonjësve me 1100 vetë.

Në planet afatgjata kompania parashikon edhe hapjen e dy fabrikave të tjera në Shqipëri, me një numër total punonjësish rreth 4000 vetë.

Aktualisht “Yura” operon në 12 vende të botës,  me 60 fabrika në sektorin e prodhimit të sistemeve elektrike dhe pjesëve elektrike për automobilë, për kompani, si:  Kia dhe Hyundai, AUDI, dhe Mercedes-Benz.