Lajme

Kamenica dhe vlerat e saj historike e kulturore

Kamenica ka mundësi të mira për të zhvilluar turizmin, veçanërisht rajoni i Anamoravës ka kapacitete të mëdha turistike me bukuritȅ e saj natyrore dhe me trashëgimi të pasur kulturore

Qyteza e Kamenicës dhe zona që e rrethon ka potenciale të konsideueshme për të qenë një destinacion turistik me mundësi të mira për turizëm veror dhe dimëror. Pozita e saj e mirë bën që të jetë tërheqëse për turistët, me shumë vende interesante të ndërtuara nga vetë natyra dhe ato nga dora e njeriut, shkruan albinfo.ch.

Kamenica është e pasur edhe me komplekse të bukura malore, atraktive dhe me natyrë të bukur. Ato që e bëjnë të veçantë në këtë aspekt janë: Mali KIKA, një ndër majat më të larta të maleve me pamje magjepsëse dhe tërheqëse për vizitorë, pastaj pejsazhe të natyrës me theks të veçantë Gryka e Gjyrishecit dhe monumenti karakteristik natyror, Guri i Madh.

Pamje nga maja e malit Kika, me një lartësi prej 1147 m

Meqë fusha e Anamoravës ka potenciale turistike, edhe qyteza e Kamenicës apo ndryshe e quajtur edhe qyteza e Dardanës, si pjesë përbërëse e saj ka vende tërheqëse, shkruan albinfo.ch.

Kamenica ka kapacitete edhe për alpinizëm, për të zhvilluar aktivitete të shumta në këto vise malore.

   Guri i madh, Monument natyre

Ky është një prej Monumenteve më karakteristik natyror në Busavatë të Kamenicës dhe quhet Guri i Madh, e ilusturar në foton më lart.

Bukuritë e këtij regjioni janë të shumta. Po ashtu është i pasur edhe burime të shumta hidrografike dhe që njëherësh imponohen me pamjen e tyre të bukur. Njëra ndër to është edhe Ujëvara” Qurreli”, e cila gjendet në fshatin Hogosht të Kamenicës, për të cilën albinfo.ch ka shkruar ditë më parë.

Trashȅgimia kulturore nȅ Kamenicë

Kamenica paraqet një thesar të pasur të trashëgimisë kulturore, materiale e shpirtërore të periudhave të ndryshme historike. Arkitektura e kullave tradicionale, e xhamive, më pas dizajni i odave, artizanateve, bëjnë që veçoritë dhe karakteristikat e tyre të dallohen për nga shumëllojshmëria e cilësive, vlerave dhe rëndësisë së tyre historike.

Kulla e Kadri Zekës

Një ndër kullat më të vizituara në Kamenicë është ajo e Kadri Zekes, e cila ka njȅ arkitekturë të pasur si nga jashtë ashtu edhe brenda saj. Kjo kullë gjendet në fshatin Poliqkë, apo siç e quajnë edhe ndryshe, Fushëmali, vendbanim i cili shtrihet rreth 30 km në verilindje të Kamenicës. Në këtë fshat u vendosën shumë familje të cilat u dëbuan nga Sanxhaku i Nishit pas viti 1877/78, shkruan albinfo.ch.

              Pamje e shtëpisë muze “Kadri Zeka”

Ndryshimet që ka pësuar objekti vërehen në materialin e përdorur për ndërtim, po edhe për pamjen patjetër. Materiali kryesisht është gurë i gdhendur, nga jashtë me fuga që duken me shije, ndërsa në vend të hatullave dhe shtyllave vertikale janë të vendosura prej druri.

Kjo kullë ishte e veprimtarit dhe publicistit Kadri Zeka, i cili kishte rënë dëshmor në luftën për të mbrojtur atdheun. Ky vend ka një arkitekturë tradicionale të shtëpive të shek XX.

           Pamje brenda odësë së Kadri Zekës

Kulla “Kadri Zeka” është bërë muze pë vizitorët në vitin 2010. Kjo kullë është meremetuar pasi që kishte pasur disa dëmtime brenda. Në këtë shtëpi – kullë, ka edhe DVD, përmes të cilave vizitorët mund të dëgjojnë Kadri Zekën se si fliste, përkatësisht oratorinë e tij. Kjo Shtëpi-muze ja vlen të vizitohet dhe të mësohet nga afër një copëz historie e begatë e atdhetarit të devotshëm Kadri Zeka.

Muzeu historik-arkeologjik

Ky muze historik meriton një vizitë të hollësishme, sepse është i pasur me shumë vlera të trashëgimisë kulturore dhe artizanateve të ndryshme që e shquajn këtë vend.

Ky muze gjendet pranë Shtëpisë së Kulturës dhe ruan materiale, gurë dhe enë të cilat janë gjetur në viset ku besohet se kanë banuar paraardhësit. Bëhet fjalë për një koleksion gjetjesh të cilat kanë mundur t’i rezistojnë kohës. Muzeu nuk është i ndarë, por ka vetëm një hyrje dhe një sallë të madhe, në të cilin janë të ekspozuara gjëra të vjetra, shkruan albinfo.ch.

  

  Artizanatet-Veglat e trashëgimisë kulturore

Gjërat e ekspozuara janë kryesisht të shek. XX, të cilat janë përdorur në bujqësi. Gjenden edhe enë nga druri dhe bakri, të cilat në të kaluarën janë përdorur për të servuar ushqimin në tryezat rrumbullake.

Po ashtu në këtë muze organizohen edhe aktivitete të ndryshme kulturore, veçmas për festat kombëtare, duke mbajtur programe të ndryshme për ditën e flamurit dhe pavarsisë së Shqipërisë dhe Kosovës, me këng e valle dhe ekspozime të veshjeve kombëtare, shkruan albinfo.ch.

        Veshjet kombtare që janë përdorur edhe më parë në Kamenicë

Në foton më lart shihet se veshjet kombȅtare të këtij regjioni janë të veçanta për nga dukja dhe dizajni i tyre. Ngjyra e kuqe, e zezë dhe e bardhë mbizotërojnë në këto veshje, duke i bërë më të veçanta dhe të dallojnë nga veshjet e tjera.

 

Muzeu i Hogoshtit

Në Hogosht të Kamenicës gjendet edhe një muze i pasur me shumë vlera kulturore.

Në këtë muze janë grumbulluar enë e mjete të vjetra pune, kryesisht të viteve të 60-ta. Të gjitha gjërat antike janë grumbulluar nga banorët e fshatit. Ky muze filloi punën në vitin 2003, mirëmbahet nga vetë banorët edhe pse nuk ka shumë hapësirë të madhe për ekspozim, shkruan albinfo.ch.

       Enë, vegla dhe vegsha të trashëgimisë kulturore në Hogoshit

Eksponatet ishin nga lloje më të ndryshme të gjetjeve etnografike si dhe disa gjetjeve të pakta arkeologjike si: vegla të punës, vegla bujqësore, vegla për endje, vegsha të ndryshëm, veshje burrash e grash, etj.

Shumica prej tyre janë mjete të cilat në të kaluarën ishin përdorur për amvisëri në përgatitjen e ushqimit. Janë edhe disa vegla të cilat janë përdorur për të kryer punët në bujqësi si: lopatë prej druri për kapjen e ushqimit të kafshëve, etj.

Qilimat janë qendisur me ngjyra të lloj-llojshme kryesisht ka mbizotëruar ngjyra e kuqe dhe e zezë. Këta qilima janë përdorur si tepihë për shtëpitë e tyre.

Në mesin e shumë eksponateve, vlen të përmenden: një gur në formë të rrumbullakët, i cili është i dëmtuar, kryq prej guri, gur i vjetër mbivarrezor, mokra, peshore (kandar) i vjetër, fener, arkë nusëri, mangall prej dheu, kazan bakri, furkë (gaforkë) për konop, llambë karrabiti i xehetarëve, pjesë të vekut, zdrukth druri, parmenda, sharrë dore për shkurtimin trupave, disa lloje të qypave, mulli kafeje i punuar nga druri, qilim, libra fetarë etj. /Albinfo.ch