Koronavirusi: çast pas çasti

Këngëtarët gjatë pandemisë: Humbje financiare dhe një pushim i papritur

Si e bllokoi Pandemia me Covid 19 estradën. Sa i dëmtoi financiarisht dhe si i anuluan mbrëmjet muzikore, flasin këngëtarët

Pandemia me virusin Covid 19 paralizoi thuajse gjithë botën, të gjitha veprimtaritë përfshirë këtu edhe koncertet, mbrëmjet muzikore e ahengjet familjare aty ku shumë emra të njohur të skenës fitojnë bukën e gojës si punë të cilën e bëjnë tash e shumë vite. Koncerte të shumta e ahengje familjare u anuluan për këtë vit, madje edhe shumë kontrata menaxheriale të cilat ishin planifikuar nuk u realizuan. Po çfarë humbën gjatë kësaj kohe këngëtarët shqiptarë të cilët kishin aranzhuar evente të ngjashme në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e diasporë?

Për të mësuar këtë, albinfo.ch ka kontaktuar me disa nga emrat e skenës shqiptare të cilët tregojnë se sa i vuajnë pasojat e Covid 19 dhe që mundohen ngadalë të marrin veten. Rreth asaj se a ju ka munguar publiku, e kënga gjatë kësaj periudhe, flasin disa nga emrat e njohur. Ata theksojnë se krahas humbjes që kanë përjetuar në këtë periudhë ka pasur edhe gjëra që i kanë përfituar nga koha e lirë e cila ka qenë e bollshme.

Kushtrim Dobra: Pandemia gjatë sezonit 2020 mua personalisht më ka dëmtuar shumë sa u përket mbrëmjeve muzikore dhe dasmave. Kjo ka ndodhur edhe me dasmat e mbrëmjet tjera në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, por shumica janë në kurbet. Ne jemi shumë të angazhuar në Evropë në dasmat me traditë shqiptare dhe më pak në vendlindje. Sa i përket asaj se sa më mungon publiku, mund të them se shumë më mungojnë koncertet që i bënim me mbi 1.000 persona. Shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt dhe t`i kthehemi normalitetit, dhashtë Zoti të na ruajë nga kjo sëmundje vrastare.

Lule Bajra: Shpirti më është kënaqur duke pushuar se unë mundem të pushoj por kur të tjerët këndojnë edhe mua më mbetet merak kështu që askush nuk ka kënduar (qesh). Kam qenë kuzhiniere e mirë në këtë kohë kam shikuar filma, kam lexuar romane, kam dalë nga 8 km kam ecur kam kaluar kohë me djalin timm, zgjate Zot (qesh). Normalisht që nuk kam mundur të këndoj, kam pasur dasma të aranzhuara që i ka paralizuar Pandemia, mandej edhe Art Clubi ku kam kënduar rregullisht u mbyll e disa mbrëmje që i kam pasur të planifikuara nëpër diasporë nuk janë mbajtur. Kam funksionuar me rezerva por edhe Zvicra i ka ndihmuar popullit të vet, të papunëve dhe atyre që kanë humbur punën gjatë kësaj kohe.

Xhela Abazi: Sa i përket temës së koncerteve, janë anuluar të gjitha. Prej muajit mars e deri më tani nuk kemi pasur koncerte e asnjë dasmë për shkak të pandemisë që e kaploi krejt botën edhe neve. Kontratat që i kemi pasur me organizatorët e dasmave, me mirëkuptim i kemi shtyrë për në vitin 2021. I  falënderoj të gjithë që kanë qenë shumë të sjellshëm. Diaspora është motori i shtetit tonë, Kosovës prandaj sigurisht që kemi pasur evente të planifikuara edhe në diasporë po të gjitha janë anuluar pa një datë të definuar. Financat po ndikojnë tash te gjithë e jo vetëm te unë sepse nuk kemi punuar prej muajit mars por shpresoj ta kalojmë edhe sprovën me këtë virus. Publiku është ai i cili më mban gjallë shpirtërisht e financiarisht prandaj, sinqerisht, shumë më mungon. Tash sa jemi në pandemi, jam duke punuar në studion time MusicalStudio këngë të reja për album e klipe. Sigurisht që do t`i lansoj të gjitha, disa prej tyre edhe gjatë pandemisë ndërsa albumin, pas saj. Edhe shpresoj që do të kemi mbrëmje rinore ahengje familjare dhe do të ketë mundësi të na vijë këtu edhe diaspora.

Kolë Oroshi: Unë jetoj në Zvicër. Sigurisht që na ka dëmtuar, aktivitete nuk ka shumë as këndej, aty këtu ndonjë dasmë ku po obligohen familjarët apo çiftet për t`u martuar, kurse shumica janë shtyrë për vitin tjetër. Më mungojnë dasmat e më së shumti Kosova. Me qenë verës në Kosovë me dasma me punë është mirë por personalisht mua financiarisht nuk më ka dëmtuar aspak. Më së shumti më vjen keq për çiftet që kanë pasur të martohen e u është shtyrë data nuk kanë mundur të realizojnë ëndrrën e vet, ditën më të veçantë të tyre.

Silvana Dollapi: Me thënë të drejtën janë anuluar shumë koncerte e mbrëmje të ndryshme muzikore, por unë si Silvi nuk e kam ndjerë shumë këtë pjesë, mos them që për mua ishte një pushim i pazëvendësuar sepse i kam shijuar dhe po i shijoj shumë pushimet nga jugu në veri të vendit.

Bekim Zogaj: Një gjë mund ta them: kaparin e dasmave ua kam kthyer të gjithë atyre që e kanë kërkuar. Publiku sigurisht që më mungon shumë sepse ne zakonisht jemi mësuar të paktën gjatë sezonit të pushimeve të jemi gjithnjë në shoqëri të publikut dhe tash kur ndryshoj situata e nuk jemi mësuar ndryshe na vjen e çudi. Megjithatë uroj që të kthehemi në normalitet dhe të vazhdojmë si përpara pasi që këngëtari nuk mund të jetojë pa muzikë dhe publik. Ndryshe jam duke realizuar disa projekte interesant dhe besoj që disa bashkëpunime do të dalin. Prandaj mund të them se koha e pandemisë është shfrytëzuar nga ana ime në këtë drejtim.