Të tjera

Kosova krenohet me xhudisten nga Zvicra

Loriana Kuka i ka sjell edhe një medalje Kosovës në arenën ndërkombëtare në xhudo

Loriana Kuka po vazhdon me suksese në arenën ndërkombëtare. Ajo është një shembull i rrallë, pasi ka lënë Zvicrën për të garuar për Kosovën.

Loriana është mbesa e trajnerit të njohur, Driton Kuka. Së fundi Loriana fitoi medaljen e artë në Grand Prix të Tbilisi të Gjeorgjisë, shkruan albinfo.ch.

Të gjithë janë krenuar me suksesin e Lorianës. Driton Kuka përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë që është një fitore e madhe për një popull të “shtypur ndër shekuj siç është Kosova”. “Dy herë fluturoj kubanezja! Lori po na bën krenar pakufi. E artë në Grand Prix Tbilisi. Loriana Kuka po vazhdon edhe si pjesë e familjes, ëndrrën time që më mbeti në gjysmë. Fundjavë e bukur për popullin e shtypur me shekuj. Liria e merituar për të rinjtë që i kemi”, ka shkruar Kuka në rrjetet sociale.

Atë e përgëzoi edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi. “Lori e artë. Loriana Kuka ka fituar medaljen e artë në Grand Prix të xhudos që po zhvillohet në Tbilisi të Gjeorgjisë. Urime”, ka shkruar Gashi në “Facebook”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj e ka komentuar fitoren e Lorina Kukës, e cila është stolisur me medaljen e artë në Grand Prix Tbilisi të Gjeorgjisë.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se, sportistët po na bëjnë krenar duke e lartësuar emrin dhe imazhin e Kosovës çdokund në botë. Ndryshe Kosova është përfaqësuar nga kampionia e Evropës, Nora Gjakova, njëherësh sportistja më e mirë e Kosovës për vitin 2018, e zgjedhur nga Komiteti Olimpik i Kosovës, si dhe kampionia e Evropës për U-23, Loriana Kuka.