Kosova

Kosovë: Rritet numri i foshnjave të braktisura në QKUK

Gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë braktisur 38 foshnja. Ndërkohë, 26 prej tyre janë bashkuar me njërin apo dy prindërit biologjikë, pas bisedave të shumta mes prindërve me punëtorët shëndetësorë, por edhe psikologët.

Dymbëdhjetë foshnja kishin mbetur në Klinikën e Neonatologjisë, prej nga dhjetë prej tyre u ishte siguruar një “shtëpi e re” për të jetuar përmes një programi të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kurse dy foshnja janë ende në QKUK.

Në mungesë të nënës, foshnjave përqafimin e parë pas braktisjes ua jep infermierja Gjyle Fejzullahu, e cila tash e 34 vjet punon në repartin e fëmijëve të braktisur.

Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se shpeshherë nënat që vendosin t’i braktisin foshnjat e tyre, nuk dëshirojnë t’i shohin ato. Andaj, kontaktin e parë këta fëmijë e kanë me infermieret, e që për to është një përjetim i veçantë, por edhe i dhimbshëm.

“Unë i dua këto foshnja. Kam lidhje shpirtërore me to. Kontaktin e parë e kanë me ne, infermieret. Ne i lajmë, i pastrojmë, i ushqejmë, i duam shumë. Kur shkojnë prej klinikës, ne mërzitemi shumë, sepse po lidhemi emocionalisht me këta fëmijë. Ndjej edhe dhembshuri për ta sepse në shumicën e rasteve, nënat që i braktisin nuk dëshirojnë t’i shohin fare”, tha Fejzullahu.

Për një vit u lindën 65 foshnja nga nënat nën moshën 18-vjeçare

Xhevdet Gojnovci, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë, që funksionon në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tha se aktualisht në klinikë janë dy foshnje të braktisura, që janë nën përkujdesje të stafit, derisa të tjerët janë dërguar në departamentin e mirëqenies sociale, si dhe 26 të tjerë që tashmë janë bashkuar me njërin ose të dy prindërit biologjikë.

“Klinika e Neonatologjisë i trajton edhe foshnjat e braktisura që lindin në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, por edhe ato rastet që gjenden në terren dhe që sillen në klinikë përmes punëtorëve socialë dhe policisë. Gjatë këtij viti në Klinikën e Neonatologjisë janë sjellë 38 raste sociale. Prej tyre, 26 janë bërë në bashkimin familjar ku njëri nga prindërit ka pranuar që të kujdeset për foshnje, ndërsa 12 raste sociale mbesin që të përkujdeset departamenti i mirëqenies sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale”,tha ai.

Mungesa e infermierëve nuk plotësohet as me konkurs

Ndërkaq, vitin e kaluar kanë qenë 29 raste të foshnjave të braktisura. Prej tyre, 20 fëmijë janë bashkuar me familjarë kurse nëntë raste janë marrë nga ana e departamentit për mirëqenien sociale që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Problemi që prej vitesh po e përcjell Klinikën Neonatologjike është mungesa e stafit të mesëm, përkatësisht infermierëve. Gojnovci duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se ndonëse kanë kërkuar që të rritet numri i stafit, kjo ndër vite mbetet një sfidë e pazgjidhur.

“Edhe më herët ne kemi bërë ankesë për numrin jo të mjaftueshëm të infermierëve. Këtë vit kemi pranuar pesë infermiere. Ende kemi nevojë për infermiere/ë të rijnë. Por, foshnjat e braktisura kanë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë dhe kujdesin maksimal e marrin nga infermieret ekzistuese”, tha Gojnovci.

Një rast më i rëndë që kishte ndodhur këtë vit në këtë klinikë, ishte ai i një foshnje të braktisur, e cila kishte lindur me një sëmundje. Pas një jave në kujdesin intensiv të QKUK-së, ajo kishte ndërruar jetë.