Kosova

Kosovë: Rritja ekonomike në vitin e ardhshëm pritet të jetë 5.5%

Rritja ekonomike vitin e ardhshëm pritet të shkojë në 5.5%, derisa në gjysmën e parë të këtij viti ekonomia e Kosovës shfaqi shenja ngadalësimi, duke u rritur mesatarisht me rreth 3.2%. Ky është konstatimi i Ministrisë së Financave, në pjesën e analizës së Kornizës Makrofiskale.

Por, projeksioni i inflacionit dhe i rritjes ekonomike është i rrethuar nga rreziqe të shtuara. Gjatë vitit 2023, inflacioni në Kosovë pritet të reduktohet në 4.2% dhe më tej në afatin e mesëm të stabilizohet rreth një mesatare prej 1.2%. Të hyrat buxhetore për periudhën afatmesme pritet të rriten me rreth 9.7 % gjatë periudhës afatmesme, me rritjen më të theksuar në vitin 2023 me 18.7%, kryesisht si efekt i vazhdimit të masave të ndërmarra nga Qeveria si dhe formalizmi i ekonomisë. Të hyrat nga tatimet indirekte do të vazhdojnë të kenë pjesëmarrjen më të lartë në të hyrat e përgjithshme, me rreth 73% në vitin 2023 dhe pritet të rriten rreth 14.1% krahasuar me Buxhetin e Rishikuar të vitit 2022. Të hyrat nga tatimet direkte gjatë vitit 2023 pritet të rriten rreth 28.5% krahasuar me Buxhetin e Rishikuar të vitit 2022 dhe përbëjnë 17.5% të të hyrave totale. Qeveria ka planifikuar që shpenzimet kapitale të rritën për 15.1%, ndërsa subvencionet dhe transferet janë planifikuar të rriten prej 5.1%. Parashikimet aktuale për vitin 2023 kanë ndryshuar pjesërisht si pasojë e disa faktorëve, raporton rtk, përcjell Albinfo.ch.

Rishikimi i shpenzimeve buxhetore me rreth 304 milionë euro: Vazhdimi i masave të Pakos së Ringjalljes Ekonomike edhe në vitin 2023; Mbështetja për sektorin energjetik me 75 milionë euro të financuara nga granti i BE-së; Rritja e faturës së pagave me mbi 60 milionë euro; Rritja e buxhetit për barna esenciale; rritja e fondit të rezervës shtetërore, rritja e subvencioneve në bujqësi.

Rishikimi i listës së kredive potenciale ka ndikuar në zvogëlimin e shpenzimeve kapitale të financuara nga klauzola e investimeve. Deficiti i përgjithshëm buxhetor për vitin 2023 pritet të jetë 326 milionë euro, apo rreth 3.3% e BPV-së, ndërsa deficiti sipas rregullës fiskale pritet të luhatet në rreth 2% e BPV-së. Borxhi i përgjithshëm dhe garancitë shtetërore pritet të arrijnë 22.5% në 2023.

Por, cilat janë rreziqet e brendshme. Kriza e shkaktuar nga rritja e theksuar e çmimit të energjisë si pasojë e konfliktit në Ukrainë dhe kërkesa e madhe për konsum, gjatë periudhës së dimrit, në kushtet e kapaciteteve të vjetruara të prodhimit të brendshëm të energjisë mund të rrisë ndjeshëm kërkesën për import të energjisë. Ky skenar do të ndikonte negativisht çmimet e prodhimit dhe rrjedhimisht të konsumit. Për më tepër, nëse kriza do të shoqërohet me reduktime të ashpra të energjisë, do të ndikonte negativisht në aktivitetin ekonomik dhe rrjedhimisht në të hyrat buxhetore të arkëtuara. Ndërkohë, buxheti i shtetit për vitin ardhshëm është planifikuar të jetë 3.2 miliardë euro.