Kosova

Krejt çka ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës

VV-ja lëshon sallën pas përplasjeve me LDK-në

Përplasje mes deputetësh ka shkaktuar çështja e tenderëve njëburimorë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Deputeti Halil Thaçi i LVV-së i ka përmendur disa kontrata njëburimore që, sipas tij, i ka nënshkruar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

E, Bajrami ka mohuar se ka nënshkruar ndonjë tender sa ka qenë në ministri. Ndërsa, deputetin e VV-së e ka quajtur “hajn, rrenc”.

“Zotëri Thaçi, mos e shfrytëzo këtë kuvend për të gënjyer, sepse të gjitha që i the janë gënjeshtra. Asnjë tender nuk është në shkruar më 2014, më 2015 është një tender 2100 euro, unë nuk e kam nënshkruar, më 2016 është një tender, nuk e kam nënshkruar, ke gënjy, nuk e kam nënshkruar. Po gënjen”, i ka thënë ajo ndërkohë ka lëshuar ulësen e saj në Kuvend për t’i shkuar afër Thaçit.

Kurse, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, e ka kritikuar ministrin Liburn Aliu se po i ik përgjegjësisë.

“Për që rrenën e përdorni si dëshmi të inteligjencës, kjo është faktuar. Ministri shkoi, po ndoshta shkoi me dhanë dorëheqje morale për vendimin për Manastirin e Deçanit. Sepse ka qenë njeriu kryesor që bënte protesta bashkë me ne”.

Pas kësaj, shefja e deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se kësaj seance i ka humbur kuptimi dhe se debati është vendosur në fyerje e ofendime.

“Edhe sikur kjo seancë të kishte ndonjë kuptim, tashmë e humbi krejt, për arsye se prej fillimit e kanë vendosur debatin në fyerje e ofendime. Deputetja që e thirri seancën na fyeu, na quajti hajna, shpifësa. Nëse nuk duan të diskutojnë me argumente, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes e lëshojmë këtë seancë”, ka deklaruar Kusari Lila.

Pas kësaj deputetët e partisë në pushtet e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, përveç Eman Rrahmanit dhe Visar Korenicës. Sallën e ka lëshuar edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, pasi ka thënë se nuk mund ta vazhdojë kryesimin e seancës kur deputetët e tjerë i thonë se i përket një grupi (LVV) që janë hajna.

“Meqë po thoni se i përkas një grupi që janë hajna e shpifësa, unë nuk mund të vazhdoj ta kryesoj seancën. Lus nënkryetarin që nëse e ka vullnetin, ta vazhdojë seancën”, ka theksuar Bogujevci.

Korenica ka thënë se do të votojë pro themelimit të komisionit hetimor për tenderët njëburimorë dhe ai më pas ka nënshkruar kërkesën për themelimin e komisionit hetimor për tenderët njëburimorë.

“Kontratat burimore janë nënshkruar edhe në qeveritë e kaluara. Më 2019, 68 milionë janë nënshkruar kontrata burimore, ndërsa në krahasim me vitet e tjera ky vit është kampion i aneksa kontratave 13 milionë. Nëse e krahasojmë me 2022, del që më 2019 janë nënshkruar më shume. Unë pajtohem që kur kemi dyshime të argumentuara dhe të bazuara t’i ndjekim në rrugë institucionale, t’i përcjellim në gjykata, por edhe në të njëjtën kohë ose jo edhe të thërrasim komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të parandalojmë që paraja publike të mos keqpërdoret”, ka thënë Korenica.

Kusari-Lila dhe Gashi përplasen për kontratat njëburimore

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi dhe shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila janë përplasur në seancën e sotme ku po diskutohet për kontratat njëburimore.

Kusari-Lila, i ka pyetur partitë opozitare nëse e kanë lexuar para se ta nënshkruajnë kërkesën e seancës.

“Nëse e keni lexuar ju rikujtoj, ekskluzivisht keni shkruar Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike në vitin 2022 kishte kërkuar nga ZKA-ja për auditim të performancës për kontratat njëburimore të nënshkruara nga MMPHI-ja”, ka thënë ajo.

Gashi në anën tjetër i është kundërpërgjigjur duke i thënë se ajo po mundohet të bërtasë, por sipas tij, “faktet po bërtasin më shumë”.

“Ne e kemi ftuar qeverinë në seancë për kontratat njëburimore që i ka dhënë qeveria dhe institucionet që derivojnë nga ajo. Interesi ynë si thirrës të kësaj seance është të diskutohet për ato 1805 kontratat. Ideja e thirrjes edhe e shkruar edhe e deklaruar është shqyrtimi i projektrezolutës që ka të bëjë me tenderët njëburimor të dhënë nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti”, ka thënë ai

Kusari-Lila ka thënë se kampion për kontratat njëburimore janë qeveritë e kaluara.

 

“Arben është e vërtetë që faktet flasin shumë më fortë. Kur me fol për formën e qeverisjes nisu prej shtëpisë tënde. Kampion në kontratat njëburimore është qeveria e vitit 2008 dhe pason ajo e vitit 2015. Me krejt çfarë po mundoheni, hala as për së afërmi nuk është e krahasueshme. Sot nuk keni asnjë argument”, ka thënë ajo.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se deputetët mund të thërrasin sa herë të duan seancë derisa i mbledhin 40 nënshkrime. Ajo ka shtuar se sa ka qenë ajo në ministri, asnjë tender njëburimor nuk e ka nënshkruar.

“Shumë po ju pengon kjo seancë. Zonja Kusari me qenë e aftë i kishe thirrë të rregullta e s’të kishin pengu seancat tona. I kemi 40 nënshkrime dhe sa herë të na teket kemi me thirrë në përgjegjësi këtu. Ai ministri që iku që mundohet me u tregu i pastër, a e dini kur ia ka ndërruar vendin drejtorit të prokurimit kur thesari amerikan e ka shti në liste të zezë. Këta jeni ju, kur thesari amerikan e ka fut në listë të zezë atë babën e tenderëve që e quanin për qeverinë PAN. Ky është ministri që në qeverinë e tij dy vetë nënshkruajnë tenderë, Hysen Durmishi dhe Liburn Aliu, për shkak se kanë me e nda tallin. E kur flasim për kontrata të qeverive të kaluara përmendni me emra. Unë kam qenë në tri ministri asnjë tender burimor nuk e kam nënshkru. Andaj ju jeni të korruptum, frikacakë dhe shpifsa”, ka thënë Bajrami.

E, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur se duhet të hapet hetim mbi këta tenderë.

“Shumë herët e kam diskutuar lidhjen e shkurtë të korrupsionit. Ju lutem shiheni rezultatin ku keni mbërri. Mund të arsyetohet një kontratë në ndonjë situatë të caktuar. Por fenomeni ju turpëron ju marron. Atëherë nëse nuk doni ta votoni rezolutën ju lutem ta keni guximin ftojeni hetuesinë”, ka thënë Haradinaj.

Aliu kërkon që seanca për tenderët njëburimorë të mbahet me praninë e të gjithë ministrave

Pas propozimit të PDK-së që të formohet komision hetimor për tenderët njëburimorë, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se nuk e kupton pse i janë drejtuar vetëm atij për këtë çështje.

Aliu ka kërkuar që seanca për këtë çështje të shtyhet në një ditë tjetër kur të mblidhet i gjithë kabineti qeveritar aty. Ai ka theksuar se ka “0.8 për qind, nuk mundem me u përgjigj për ta”.

“Kam kënaqësinë të drejtohem para jush edhe pse nuk e di për çka më keni thirrë. Deputetja që e ka thirrur seancën e filloi dhe e përfundoi e përmendi njëherë Ministrinë e Infrastrukturës dhe tha 10 milionë. Me mujt me arsyetu pse më kanë thirrur mu. Në dy shtylla është arsyetuar thirrja e seancës nënshkrimi i kontratave burimore për 2021 dhe për 2023. Është dashur me u thirrë dikush tjetër por më keni thirrur mua. Pse ma drejtoni seancën mua”, ka thënë Aliu.

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, i është përgjigjur ministrit duke thënë se e ka keqkuptuar pasi seanca s’ka të bëjë vetëm me ministrinë e tij.