Lajme

Kultivimi i manave goxhi në Shqipëri – biznesi që të bën milioner

Një sipërfaqe prej 30 hektarësh tokë do të sjellë një risi në bujqësinë shqiptare, ku për herë të parë në Shqipëri ka nisur kultivimi i manave goxhi.

Një frut i rrallë për Europën, por shumë popullor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Kinës.

Manat goxhi, apo siç gjenden zakonisht me emrin Goji Berry, janë një frut që vjen nga bima botanike Lycium barbarum.

Ato janë të kuqe, kokërr vogla në pamje të parë, ngjan me frutin e thanës, por kur priten në mes ato ngjajnë si domatet, por në përmasa shumë të vogla.

Shumë shpejt, këto fruta fantastike, shumë të kërkuara sidomos në Evropë do të nisin prodhimin e tyre në Shqipëri.

Shpëtim Oseku, administrator i AgroIliria Group, një kompani që ka si objekt të aktivitetit të saj veprimtarinë në fushën e bujqësisë, i tha AgroWeb.org se pas një analize të të gjitha kushteve që ky frut kërkon për t’u kultivuar, ka nisur mbjelljen e fidanëve të këtij fruti krejt të veçantë, përcjell Albinfo.ch.

“Ne bashkëpunojmë me një grup izraelitësh, ndër prodhuesit më të mëdhenj në botë. Këta kultivojnë edhe mana goxhi dhe prej tyre lindi ideja e bashkëpunimit për kultivimin e këtyre frutave. Është një frut i rrallë, që nuk është kultivuar asnjëherë në Shqipëri.

Ne kemi bërë të gjitha studimet, analizat, kemi marrë të gjitha masat dhe jemi gati që të nisim kultivim në muajin mars”, shprehet Oseku.

I gjithë prodhimi, drejt Evropës

Zonat ku Oseku zhvillon aktivitetin e tij të të mbjellave janë Lushnja dhe Divjaka. Ai tha se i gjithë prodhimi i 34 mijë rrënjë fidanësh të manave goxhi që janë mbjellë në muajin mars do të shkojë për eksport.

“I gjithë prodhimi do të shkojë për t’u eksportuar jashtë. Ne kemi krijuar një shoqëri me gjashtë kooperativa të mëdha italiane. Do të dalim nën një emër (brand) për të gjithë Evropën. Do të jetë një qendër grumbullimi që do të bëhet afër qytetit italian të Leçes dhe do të mbulojë gjithë tregun e Evropës.

Aktualisht të gjitha prodhimet tona kanë patentën e standarteve evropiane, duke marrë të gjitha certifikatat ku këtu nënvizoj certifikatën ISO”, bën të ditur Oseku.

Kultivimi i manave goxhi është një risi që premton të jetë fitimprurëse në një të ardhme shumë të afërt për atë që e kultivon. Sipas Osekut, e mira e kultivimit të këtij fruti është se nuk pret shumë gjatë për prodhimin e tij.

Manat goxhi dhe fuqia e vlerave shëndetësore

Manat goxhi janë të famshme për vlerat e fuqishme shëndetësore që ato kanë. Ato konsumohen të freskëta, në receta të ndryshme gatimesh, por edhe të thata. Këto tç fundit shquhen po ashtu për vlerat e larta ushqyese që përmbajnë.

Këto kokrra të vogla janë përdorur në mjekësinë tradicionale popullore prej shumë kohësh, cilësohen si mrekullibërëse për mirëqenien e gjithë organizmit.

Manat goxhi kryesisht importohen dhe kanë një çmim të lartë. Vijnë në paketime të vogla, gjë që e lehtëson konsumimin e tyre. Në këtë mënyrë, konsumatori merr një nivel të lartë ushqyesish në një sasi të vogël frutash.

Nëse do të krahasonit vlerat e këtyre manave me atë të portokalleve, do të mësoni se manat goxhi kanë 500 herë më shumë vitaminë C se sa portokallet.