Lajme

Kurti: Ajo që po ndodh në Ukrainë, është agresioni më i madh ushtarak pas LDB-së

Në një konferencë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ajo që po ndodh në Ukrainë, është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, përcjell albinfo.ch.

Në konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Kurti ka thënë se Kosova është e orientuar me BE-në e NATO-n, e po ashtu edhe me SHBA-në e Mbretërinë e Bashkuar, në përkrahje të popullit të Ukrainës.

“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë. Në këto çaste ku jemi ne në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës dhe jemi të orientuar bashkë me BE-në dhe NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Mbretërinë e Bashkuar, për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, ka thënë Kurti.

Për krizën në Ukrainë ka folur edhe shefi i BE-s në Kosovë, Tomas Szunyog. Ai e ka quajtur ‘ditë të trishtë’ për sigurinë e Evropës sulmin rus në Ukrainë.

“Është problemi i sigurisë në Evropë dhe është ditë e trishtë për sigurinë e Evropës. Bashkimi Evropian i dënon këto sulme nga ana e Rusisë në Ukrainë”, ka thënë ai.