Kosova
Kurti për moscertifikimin e kandidatëve të Listës Serbe: Është çështje e KQZ-së
Shoqëria civile shprehu shqetësimin për vendimin e KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe, pavarësisht se ata kanë kaluar verifikimet ligjore nga institucionet kompetente
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të flasë për moscertifikimin e listës së kandidatëve të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke thënë se kjo është çështje e KQZ-së, përcjell albinfo.ch.
I pyetur nga gazetarët se si i komenton reagimet e sotme të shoqërisë civile dhe ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) rreth Lëvizjes Vetëvendosje për moscertifikim të Listës Serbe në KQZ, Kurti tha se “Ajo është çështje e KQZ-së, ajo është çështje e ambasadës amerikane. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”.
Këtë deklaratë Kurti e bëri pas vendosjes së gurthemelit të tribunës lindore në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Ambasada e SHBA-së në Kosovë, duke komentuar moscertifikimin e Listës Serbe, kishte vlerësuar se një qasje e tillë është “e ngushtë në vizion dhe përçarëse”.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla e cenojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë edhe rifillimin e dialogut tonë strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare”, kishte shkruar ambasada amerikane në Kosovë.
Për moscertifikimin e kandidatëve të Listës Serbe reagoi në Kosovë edhe shoqëria civile. Demokracia në Veprim (DnV) shprehu shqetësimin për vendimin e KQZ-së për të mos certifikuar kandidatët e Listës Serbe, pavarësisht se ata kanë kaluar verifikimet ligjore nga institucionet kompetente.
“Procesi i certifikimit është një fazë procedurale e qartë dhe e përcaktuar, e cila duhet të bazohet në kriteret ligjore dhe praktikat e konsoliduara të administrimit të zgjedhjeve, jo në interpretime apo vendimmarrje të motivuara politikisht”, thuhet në reagimin e DnV-së.
KQZ-ja nuk i certifikoi të mërkurën kandidatët e Listës Serbe për deputetë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, vetëm një javë pasi dështoi t’ia ndalonte pjesëmarrjen në këto zgjedhje partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Me dy vota kundër, gjashtë abstenime dhe tri për, 33 kandidatët e Listës Serbe nuk u certifikuan pavarësisht se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike kërkoi certifikimin e tyre duke thënë se emrat e tyre nuk bien ndesh me ligjin për zgjedhjet.
Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Votimi i së mërkurës vjen vetëm pak ditë pasi PZAP-ja e urdhëroi KQZ-në ta zhbëjë vendimin e 2 dhjetorit për moscertifikimin e Listës Serbe dhe urdhëroi pjesëmarrjen e saj në zgjedhje, duke thënë se komisioni nuk ka ofruar “asnjë arsyetim” për vendimin e marrë.
E-Diaspora
-
ABSM përmbylli me sukses semestrin me “Sommer Apéro 2026” në Basel Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, ABSM Basel – Instituti i Trajnimit dhe Këshillimit për... -
Danimarkë
Një tjetër sukses akademik nga Danimarka: Marigona Luma diplomon në Universitetin e Kopenhagës -
Suedi
Aida Birinxhiku vlerësohet ndër figurat më të fuqishme të politikës suedeze -
Dita e gjashtë e “Javës së Kulturës së Kosovës në Berlin” -
Nikol Tuka shkëlqen në koncertin dedikuar Beethoven-it me Orkestrën Simfonike të RTSH-së
Jeta në Zvicër
-
Në Zvicër do të mbahet referendum për kontrollin e qirave Shoqata Zvicerane e Qiramarrësve ka mbledhur mbi 140 mijë nënshkrime, duke siguruar mbajtjen e një referendumi... -
Në Zvicër bakshishi nuk është detyrim, por mbetet një gjest mirënjohjeje -
Raporti i SECO: Tregu i punës në Zvicër po ndahet mes zviceranëve dhe punëtorëve nga BE-ja -
Shërbimi inteligjent: Rusia mbetet kërcënimi kryesor për sigurinë e Zvicrës -
Zvicër
Zvicra shënon ditën më të nxehtë të qershorit në histori, termometri arrin në 38°C












