Kosova
Kurti: Sulmi në veri ka elemente terroriste, orvatje nga pafuqia e atyre që nuk sundojnë më
Kryeministri Kurti reagon pas sulmin në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar fuqishëm sulmin me granata ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, përcjell albinfo.ch.
Kurti ka thënë se sulmi ka elemente terroriste.
“Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues, dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot, më datë 1 prill 2025. Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Ai ka pohuar se “brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”.
“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, pohoi ai.
Kurti ka shkruar se përmes krijimit të tensioneve artificiale po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë.
“Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset dhe shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët”, theksoi ai.
Kurti shton tutje se institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë.
“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, deklaroi ai.
Sot, rreth orës 00:20, persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në objektin e Postës së Kosovës në Zveçan.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, si pasojë e shpërthimit të njërës granatë, janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar.
E lidhur me këtë, ka reaguar sot Posta e Kosovës.
“Sot, pas mesnate, zyra postare Zveçan-2, e vendosur në qendër të Zveçanit, është sulmuar me mjete shpërthyese. Posta e Kosovës Sh.A. dënon ashpër këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Postës.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Kryetari i ri, z. Zenun Krasniqi, falënderoi anëtarët për besimin... -
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen”
Jeta në Zvicër
-
Sot mbahen raundet e dyta të votimit në Winterthur dhe Cyrih Votuesit në Winterthur dhe Cyrih do të vendosin sot për kryetarët e tyre të bashkive... -
Kantoni i Valisit refuzon të publikojë dosjet e Crans-Montana-s -
Zug nuk është më “parajsa” më e mirë tatimore në Zvicër -
Qendrat e qyteteve në Zvicër po ndryshojnë: më pak dyqane, më shumë restorante -
Aeroporti i Gjenevës: ende nuk ka shqetësime për mungesë keroseni















