Kosova

LVV kërkon zbatimin e rezolutës për Telekomin

Lëvizja Vetëvendosje, është deklaruar në lidhje me moszbatimin e rezolutës për Telekomin miratuar me 12 korrik të këtij viti nga Kuvendi i Republikës, që trajton situatën financiare në ndërmarrjen publike të Telekomit duke përfshirë kërkesa specifike për mekanizmat ekzekutiv mbikëqyrës dhe rregullativ.

Nënkryetari i Lëvizjes Besnik Bislimi foli rreth moszbatimin të kësaj rezolute, e cila është votuar me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe që paraqet obligim për Qeverinë.

“Që nga ajo ditë, si Qeveria e Kosovës ashtu edhe Auditori i Përgjithshëm dhe ARKEP nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të jetësuar rekomandimet apo kërkesat e deputetëve të Republikës së Kosovës. Një pjesë e mirë e këtyre 12 pikave kanë të definuara si veprimet ashtu edhe afatet e parapara për ndërmarrjen e tyre’’, tha Besnik Bislimi, shkruan Albinfo.ch.

Deri sot, në vend të zbatimit të Rezolutës, Qeveria, Auditori, Rregullatori i Telekomunikacionit dhe Prokuroria nuk e kanë respektuar as edhe një pikë të vetme të kësaj rezolute, ne vend të kesaj kanë trashur keqpërdorimet, kanë vazhduar punësimin dhe kanë përshpejtuar ritmin e shkatërrimit të kësaj kompanie me rëndësi të veçantë për ekonominë e Kosovës.

Profesori e anëtari i Komitetit për Telekomunikacion në Lëvizjen Vetëvendosje Salem Lepaja foli për thellimin e krizës në Telekom që është programuar më parë nga krimi i organizuar për të sjellë këtë kompani buzë falimentimit, shkruan Albinfo.ch.

“Sipas ligjit Qeveria në emër të qytetarëve të Kosovës zotëron 100% të aksioneve të Telekomit dhe krejt çka duhet të kishte bërë Kryeministri për ta ndalur plaçkitjen, është të urdhëronte z.Valdrin Lluka, Ministrin e tij për zhvillim ekonomik, të suspendojë këtë kontratën me Z-mobile menjëherë. Ministri Lluka nga ana e tij e ka obligim të veprojë, edhe pa marrë urdhër nga Kryeministri. Madje ai edhe personalisht si ish i punësuar i Z-Mobile që është, e njeh intimisht natyrën e dëmshme të kësaj kontrate për interesin publik.Janë edhe dy zyrtarë të tjerë që të mund ta kishin ndërprerë këtë plaçkitje, por nuk e bëjnë: Prokurori i shtetit Aleksandër Lumezi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku.’’, shtoi Salem Lepaja.

LVV ka thënë se ‘kërkojmë që Rezoluta të zbatohet sa më parë, në veçanti, të zbatohet pika 4 në të cilën kërkohet nga Qeveria që: “Të tërheqë anëtarët aktualë të bordit të emëruar pa bazë profesionale dhe të propozojë anëtarë me integritet të lartë dhe profesionistë me përvojë të gjatë në fushën e telekomunikacionit, të financave dhe të administrimit të ndërmarrjeve.”

Sipas LVV-së, kjo do t’i hapë rrugë zgjidhjes së marrëveshjes abuzive me kompaninë Dardafone.net perkatësisht me Z-Mobile, si dhe rishqyrtimit të të gjitha kontratave të tjera të dëmshme dhe atyre fiktive me kompani të tjera.