Maqedonia

Maqedoni: 83% e rasteve prej 6 gushtit nuk kanë qenë të vaksinuar

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoni e ka publikuar analizën e të vaksinuarve, rasteve pozitive, të vdekurve dhe të shëruarve nga COVID-19, për periudhën prej 6 gusht deri më 26 gusht.

Sipas këtij raporti, të vaksinuar llogariten vetëm personat të cilët kanë marë dy doza dhe kanë kaluar së paku 14 ditë nga vaksina e dytë.

Në periudhën prej 6 gusht deri më 26 gusht, në territorin e vendit janë infektuar gjithsej 17020 persona. 17% prej tyre kanë qenë tërësisht të vaksinuar me dy doza, respektivisht 2924 persona. Sipas statistikave, në 3 javët e fundit, 14096 qytetarët, ose 83% prej rasteve pozitive nuk kanë qenë të vaksinuar.

Përqindja e të hospitalizuarve të pavaksinuar shënon 89%, derisa 11% janë të vaksinuar tërësisht. Vdekshmëria tek të pavaksinuarit është shumë më e madhe. Kështu, në tri javët e fundit në shtet kanë vdekur 276 persona, ndërsa të vaksinuar kanë qenë 30 prej tyre.

Të infektuarit dhe të vdekurit kanë qenë të vaksinuar me Sinovac, Pfizer, Moderna, Xhonson & Xhonson.

Ministria e Shëndetësisë njofton se në mënyrë rapide po rriten rastet e riinfektimeve. Për vetëm një javë, madje 54 persona janë riinfektuar, ndërsa që nga fillimi i pandemisë, janë riinfektuar 351 persona.