Bota

Me 5 mijë euro ‘u bënë’ bullgarë

Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, numri i shtetasve që kanë marrë pasaportë bullgare në dhjetë vitet e fundit i ka kaluar 115,000 persona, shumica e të cilëve besohet të jenë bullgarë nga etnitë e vendeve fqinje

Prokurorët bullgarë deklaruan se shkatërruan një skemë mashtrimi që drejtohej nga zyrtarët shtetërorë, të cilët u kishin mundësuar mijëra të huajve dhënien e pasaportave bullgare kundrejt një shume të caktuar parash në këmbim.

Në këtë skemë dyshohet se janë të përfshirë edhe punonjës të Agjencisë Shtetërore për Bullgarët Jashtë Vendit, të dyshuar për pranimin e ryshfeteve kundrejt lëshimit të certifikatave të rreme me origjinë bullgare, një dokument në bazë të të cilit mund të lëshohet shtetësia bullgare dhe dokumentet e identitetit.

Prokurorët bullgarë u shprehën se kishin nisur një hetim ndaj agjencisë, me akuza si përfshirja në një grup krimi të organizuar, marrja e ryshfeteve, falsifikim dokumentacioni dhe shpërdorim detyre.

Sipas mediave lokale u raportua se kreu i agjencisë, Petar Haralampiev, së bashku me më shumë se 20 prej punonjësve të tij dhe disa prej ndërmjetësve të dyshuar ishin arrestuar, transmeton ‘monitor’.

Sipas skemës së mashtrimit thuhet se kanë përfituar pasaportë bullgare, shtetas nga Ukraina, Moldavia dhe Maqedonia, vende të cilat kanë pakica etnike bullgare. Pasi Bullgaria u anëtarësua në BE në vitin 2007, shënoi rritje të aplikimeve për pasaporta në shtetasit e këtyre vendeve me pakicë etnike bullgare, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa skema e mashtrimit u mundësonte edhe shtetasve të huaj kundrejt një pagese prej 5,000 eurosh marrjen e një certifikate të rreme, ku tregohej origjina bullgare. Mijëra shtetas të huaj thuhet se kanë përfituar nga kjo skemë dhe vetëm në një javë janë lëshuar mbi 30 certifikata false.

Kreu i agjencisë zakonisht zgjidhet nga qeveria dhe kreu aktual, z. Haralampiev shihet si më i afërt me partinë nacionaliste VMRO. Ndërsa VMRO-ja, nga ana e saj, i ka mohuar njoftimet e medias se z. Haralampiev ishte një anëtar i kësaj partie dhe se ajo e mbështeste plotësisht punën e prokurorëve, duke këmbëngulur se të gjithë ata që janë shpallur fajtorë duhet të marrin dënimin më të rëndë, sipas ligjit bullgar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Drejtësisë, numri i shtetasve që kanë marrë pasaportë bullgare në dhjetë vitet e fundit i ka kaluar 115,000 persona, shumica e të cilëve besohet të jenë bullgarë nga etnitë e vendeve fqinje.

Të gjithë shtetasit e huaj që marrin pasaportë bullgare shumë rrallë vendosen në Bullgari. Pjesa më e madhe e përdorin pasaportën bullgare për të qenë në gjendje të jetojnë dhe punojnë në vendet më të pasura të BE-së. Përkthyesit e gjuhës bullgare u shprehën për EURACTIV se sa herë që ata janë punësuar nga policia e shteteve si Belgjika apo Franca, ka rezultuar se të dyshuarit me dokumente bullgare nuk e flasin gjuhën bullgare. Sipas Katia Mateva, ish-drejtuese në departamentin e shtetësisë bullgare në Ministrinë e Drejtësisë, në mars të këtij viti ajo nuk kishte pranuar rreth 60 aplikime, pasi Interpoli i alarmoi autoritetet për faktin se mbi pjesën më të madhe të shtesave që kishin kërkuar marrjen e shtetësisë rëndonin akuza penale.

Zëdhënësi i Komisionit Europian, Christian Wigand, tha në një konferencë për shtyp se ekzekutivi i BE-së është duke përgatitur një raport mbi skemat kombëtare në shumë shtete anëtare, të cilat i japin shtetësinë investitorëve të ndryshëm, e njohur ndryshe edhe si “pasaportat e arta”.