Shqiptarët e Zvicrës dhe Islami

Me Mustafë Memetin, imamin e shpallur “Zvicerani i Vitit 2014”

Imami Mustafë Memeti flet për gjendjen e shqiptarëve myslimanë të Zvicrës pas sulmit terrorist në Paris, për imazhin e tyre në shoqërinë shumicë dhe çështje tjera

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

  • © albinfo.ch

Imami Mustafë Mehmeti na e kishte lënë takimin para godinës “Shtëpia e religjioneve” në “Europaplatz” në Bernë. Sigurisht kishte pak edhe simbolikë në lënien e këtij pikëtakimi, kur dimë se ai është një ndër mbështetësit më të mëdhenj të projektit të kësaj godine që i fut nën një kulm të gjitha besimet dhe ku xhamia zë një hapësirë të konsiderueshme. Mustafë Mehmeti gjithnjë ka qenë ithtar i asaj që xhamitë të tërhiqen nga zonat e errëta e pa transparencë. Prandaj, atë e gëzon ngritja e Shtëpisë së religjioneve në një ndërtesë impozante dhe në një zonë qendrore.

Siç e thotë Imam Mustafa, ai në Zvicër ka ardhur si shumica e  shqiptarëve të tjerë, për të gjetur punë dhe për të rregulluar standardin e familjes. “Por në kohën e ardhjes më është ofruar mundësia për të punuar si imam kështu që këtë punë e bëj që nga fillimi. Në vitin 1995 e kemi themeluar edhe xhaminë shqiptare të Bernës, ku vazhdoj punën e imamit sot e gjithë ditën”, thotë Mulla Memeti, imami i cili është shpallur “Zvicerani i Vitit 2014” nga gazeta zvicerane “SonntagsZeitung”.

Me Mustafë Memetin kemi biseduar lidhur me gjendjen e shqiptarëve myslimanë të Zvicrës pas sulmit terrorist në Paris, imazhin e myslimanëve në shoqërinë shumicë, sjelljen e imamëve në raport me sfidat që i sjell jeta në një rreth joislam, raportin në mes të imamëve të moderuar dhe atyre dogmatikë dhe lidhur me çështje tjera që preokupojnë atë dhe Bashkësinë Islame Shqiptare të Zvicrës, të cilën ai e udhëheq.

albinfo.ch: Të flasim për rrymat e reja ekstreme të islamit, ato që po e mbajnë pa frymë botën duke e përballur me rreziqe të reja. Një  tendencë të tillë, mjerisht po e shohim edhe ndër myslimanët shqiptarë. Ju keni qenë shumë i zëshëm kundër kësaj dukurie. Ku mendoni se është rrënja e gjithë kësaj?

Mustafë Memeti: Unë lëshimin e shoh te ne, te institucionet fetare dhe institucionet tjera në vend. Kur them se kemi bërë lëshime pas tranzicionit kam parasysh se ky fenomen shqetësues te ne ndodhi pas viteve `90. Ne na mungoi një strategji si të orientohet ky popull. Ne kemi dështuar që ta bëjmë këtë dhe faktikisht ata, ekstremistët, kanë marrë krye, kanë depërtuar nëpër xhematet tona nëpër xhamitë, institucionet dhe është bërë e vështirë të gjendet një rrugëdalje. E vështirë por jo krejt e pamundur. Unë mendoj se për ne shqiptarët e besimit mysliman dhe bashkësitë islame etj. e vetmja zgjidhje është që ta ruajmë natyrshmërinë tonë historike të besimit, të përpilojmë një program dhe një strategji për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë duke e mbrojtur identitetin tonë fetar. Unë mendoj se ajo filozofi regresive ka gjetur shtrat te njerëzit që nuk kanë pasur një traditë të  besimit dhe të praktikumit të fesë. Kjo është evidente edhe këtu, në Zvicër, ku po jetojmë. Është si një lloj hakmarrjeje që e ushtrojnë ndaj të kaluarës së tyre si jo besimtarë.

Për praktika që na e ndihmojnë jetën këtu dhe jo të atilla që na e pengojnë

albinfo.ch: Ju jeni shprehur prej vitesh në raste të ndryshme lidhur me ndalesën e veshjes së vajzave me rroba banje në orët e notit që kanë dashur ta bëjnë disa prindër duke u thirrur në parimet islamike. A janë ndalesat e kësaj natyre në frymën e islamit?

Mustafë Memeti: Disa praktikues të fesë duan të na e mësojnë se si praktikohet ajo. Por unë them se besimi nuk mund të praktikohet asnjëherë në mënyrë perfekte. Prandaj duke u angazhuar kundër qëndrimeve të tilla, kam pasur shpesh akuza se jam “marionetë”, po vallëzoj sipas urdhrave zvicerane, po punoj drejt asimilimit etj. Por unë di të them se edhe vet profeti u ka thënë njerëzve që kanë kërkuar përsosmërinë: “ju nuk mund të më imitoni mua”. Prandaj mendoj se besimi islam këtu nuk mund të na pengojë për të ecur së bashku në shoqëritë moderne, pa e kontestuar këtë apo atë fenomen. Këto shqetësime nuk duhet që të na e pengojnë shkollimin, aftësimin etj. Nevojitet më tepër liberalitet dhe akceptancë, pa këto nuk ka ardhmëri, madje as brenda xhamive. Prandaj kemi konfliktualitet sot edhe në xhamitë shqiptare. Unë e dëshiroj një praktikë islame këtu por jo të tillë që praktikohet si në vendet arabe apo në Ballkan por që të jetë një praktikë e cila na siguron rehati, stabilitet, ardhmëri shpresa dhe kënaqësi shpirtërore.

albinfo.ch: Ju shquheni për një Interpretim liberal, madje dhe kreativ të islamit, do të thoshim. Ky interpretim a është i pranishëm në ndonjë doktrine ose shkollë të islamit sot në botë?

Mustafë Memeti: Mendoj se lëshimi më i madh është që është lejuar që gjithkush të studiojë teologjinë. Është dashur të ketë ca filtra, kritere për një gjë të tillë. Teologjia në vete si kapital kërkon njeri vizionar. Për mua është me rëndësi që fenë ta vësh në shërbim të njeriut e jo në dëm të tij. Forca të tilla objektive ka në të gjitha vendet ku praktikohet islami por mjerisht forcat regresive që kanë mbështetje te klasa më pak e arsimuar e promovojnë predikimin regresiv.

albinfo.ch: Përveç kërcënimeve verbale ose me shkrim, disa muaj më parë është sulmuar edhe zyra juaj në xhaminë që e udhëhiqni.

Mustafë Memeti: Marrja e vendimit për t`iu bashkuar projektit për Shtëpinë e Religjioneve nuk ka qenë e lehtë. Duhet ditur se ky projekt vjen si rezultat i atmosferës së krijuar pas 11 shtatorit të vitit 2001. Ndërsa burimin e ka nga njerëzit zemërgjerë, humanitarë e kozmopolitë, zviceranë dhe të tjerë. Shtëpia e Religjioneve nuk adresohet kundër asnjë feje. Është alternativa e vetme që mund t`ua prezantojmë njerëzve se përkundër kundërthënieve të mëdha në mes të feve, kulturave, ne prapë kemi mundësi të jetojmë së bashku në paqe. Por tash forcat konservative, injorante ose ato interesat e të cilave preken nga ky projekt, e kundërshtojnë.

Ka shumë që nuk janë pajtuar, duke gjetur pretekste të ndryshme se gjoja nuk bën të bëhemi bashkë në një vend etj. dhe ja, dikush ka shfrytëzuar rastin deri sa unë isha në haxh dhe e ka sulmuar zyrën time në lokalet e xhamisë së vjetër. Kjo ka qenë një sinjal se duhet të jemi syhapur dhe të mos e neglizhojmë situatën.

Nuk kemi të drejtë që në mënyrë barbare me dhunë ta mbrojmë islamin

albinfo.ch: Jeni cituar të thoni se duhet njoftuar organet e rendit për sinjalet e rrezikut të paraqitjeve ekstremiste në xhami.

Mustafë Memeti: Unë mendoj një imam që punon këtu në Zvicër duhet të dijë ku është dhe të njohë klimën në të cilën vepron, rendin publik etj. Për mua është krim nëse një imam ngjitet aty ndërsa nuk e ka as lejen e qëndrimit dhe le më lejen për predikim. Si ka mundësi që të jesh në atë pozitë dhe të flasësh fjalë të pamatura dhe fyese për rendin e këtushëm pastaj për religjionet tjera duke i quajtur të pafe etj. Nëse i kemi parasysh këto, ne duhet edhe t`i thërrasim vendësit të vijnë të na shohin sepse ne nuk kemi çka të fshehim. Ata që nuk kanë guxim të marrin  përgjegjësi, nuk kanë nevojë të dalin para  popullit.

albinfo.ch: Shumë myslimanë reagojnë me mllef dhe me dhunë ndaj fyerjes së profetit ose fesë së tyre. Së fundi ishim dëshmitarë të masakrës në Paris e cila e pasoi një mllef të tillë. Si e shpjegoni ju  gjithë këtë?

Mustafë Memeti: Njerëzit duhet të njihen me vlerat e vendit ku jetojnë. Në perëndim nuk e kanë ligjin për blasfeminë dhe ti tash nuk mund të vish këtu e t`ua imponosh ligjin. Prandaj unë mendoj se ne, myslimanët që kemi ardhur këtu të jetojmë me plot vullnet, nuk duhet të bëhemi pengesë dhe të konfrontohemi me vlerat e këtij vendi. Qëllimi ynë është se si përkundër të gjitha këtyre situatave njerëzit të jetojnë në paqe dhe lumturi. Duhet të bëhemi transparentë sepse gjithkund ka gjëra që na pëlqejnë dhe të tjera, që nuk na pëlqejnë prandaj bëhu objektiv, mundohu të tejkalosh dhe menaxhosh ato çështje që nuk të pëlqejnë. Të përgjigjemi në momentet kur ndjehemi se provokohemi por nuk kemi të drejtë që në mënyrë barbare me dhunë ta mbrojmë islamin, siç bëjnë disa individë dhe grupe. Kush ua ka dhënë atyre këtë të drejtë. Vetëm shteti ka të drejtë të ndalojë njerëzit të bëjnë të keqen dhe jo individët ose grupet.

albinfo.ch:Një fakultet teologjik islam ishte planifikuar të hapej në kuadrin e Universitetit të Friburgut, cili është mendimi Juaj për këtë?

Mustafë Memeti: Vetë kam qenë në grupin punues për hapjen e fakultetit ose institutit në fjalë. Ky grup tash është shndërruar në senat, ku vazhdoj të jem edhe unë. Në këtë përpjekje jam si pionier nga shqiptarët dhe kjo nënkupton se e gjithsesi e përshëndes atë. Hapja e kësaj dege ka qenë shumë e pranishme si temë e debatit publik. Ne duhet t`i kërkojmë alternativat që imamët në të ardhmen të përgatiten këtu dhe jo të vijnë nga jashtë sepse është një proces i rëndë, dhe ka një potencial konfliktuoziteti. Vijnë për shembull këtu imamë që nuk i njohim dhe ata flasin për tema që nuk kanë të bëjnë me realitetin dhe synimet tona. tash sa i përket institutit: Ka kundërshtime nga e djathta zvicerane por forcat progresive janë shumë aktive në këtë drejtim dhe shpresoj se ajo së shpejti të behet realitet.

albinfo.ch: Po nëse bëhet, ku do të gjendet kuadri i përshtatshëm për një institucion të tillë?

Mustafë Memeti: Programi i cli do të mësohet aty ende nuk është finalizuar, ende nuk dihet saktësisht se çka do të studiohet. Por të themi se ky nuk do të jetë një fakultet që prodhon vetëm imamë dhe këtu është dallimi me fakultetet teologjike te ne ose në botën myslimane. Nuk duam të prodhojmë imamë që nuk kanë mundësi të inkuadrohen në profesione tjera. Aty duhet të krijohen kuadro me spektër më të gjerë njohurish që mund të punojnë në të gjitha fushat e punëve sociale. Sigurisht, aty nuk do të perfeksionohen në njohjen e kuranit siç bëjnë specialistët që kryejnë studime të thelluara të islamit por do t`u jepet baza, mbi të cilën pastaj ata që e përfundojnë, mund të avancojnë njohuritë e tyre. Sa u përket kuadrove, ne do të marrim, sipas nevojës për ligjërata ose lëndë të caktuara edhe studiues ose profesorë nga jashtë por vetëm pas filtrimit dhe verifikimit të nevojshëm.

 

Në rolin e kujdestarit shpirtëror në burgje dhe spitale

Mulla Mustafa është i veçantë edhe për një gjë. Përmes tij është promovuar edhe puna si kujdestar shpirtëror për besimtarët myslimanë në burgje, ushtri, në spitale etj. Ai e bën këtë punë me orar 50%, sa i mbetet nga puna si imam në Xhaminë Shqiptare të Bernës. Kjo punë (Seelsorge) është shumë e përhapur te të krishterët por e panjohur te myslimanët. “Në debatet teorike ka mospajtime rreth asaj se a ekziston në fenë islame një funksion i tillë prej kujdestari shpirtëror që te krishterët, (gjermanisht) quhet “Seelsorge”  apo jo. Por ekspertët në përgjithësi vijnë në përfundim se, si pjesë e kësaj shoqërie, edhe ne na duhet një funksion i tillë. Ka pengesa e zvarritje edhe nga qarqet konservative vendore por edhe nga vetë besimtarët myslimanë, shqiptarë e të tjerë, por k funksion po vjen duke u pranuar. Parapëlqehet që në plan të parë të kësaj kujdestarie të mos jetë predikimi fetar por përkujdesja shpirtërore për të burgosurit apo të tjerët që kanë nevojë”, shpjegon Mustafë Mehmeti rolin e tij pej pionieri në këtë profesion. “Por, duhet ta kemi të qartë se kjo që bëjmë ne është më shumë në baza mirëkuptimi, bazuar në kanalet interne dhe nuk është rregulluar ende me ligj, ashtu siç është rregulluar për besimtarët e krishterë ndonëse po bisedohet që kjo të zyrtarizohet”, shton ai.


 Të tjera nga Shqiptarët e Zvicrës dhe Islami