Lajme
Mësuesja poshtëron fëmijët në Facebook
“Këta nxënës nuk e kanë mësuar vjershën. Shume keq. Përveç atyre që kanë qenë me grip”, kishte shkruar në profilin e saj në “Facebook” Lindita Ilazi-Fazliu
Një mësuese e ciklit të ulët në Prishtinë, i ka publikuar në facebook disa nxënës për nota të dobëta, e disa muaj më parë se janë të papastër- kanë morra. Kjo paraqitje në rrjetin social, ku ajo i rendit nxënësit para dërrasës së zezë, ka trazuar gjithë opinionin në Kosovë, sa që kërkojnë suspendimin e menjëhershëm të mësueses, madje padi gjyqësore për abuzim ndaj fëmijëve.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, e konsideron të papranueshëm veprimin e mësueses Lindita Ilazi-Fazliu “edhe nëse është bërë në dakordim me prindërit”.
“Këta nxënës nuk e kanë mësuar vjershën. Shume keq. Perveç atyre që kanë qenë me grip”, kishte shkruar në profilin e saj në “Facebook” Lindita Ilazi-Fazliu, mësuese në shkollën fillore “Emin Duraku”.
Drejtoresha e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë për KALLXO.com se e konsideron të papranueshëm veprimin e mësueses edhe nëse është bërë në dakordim me prindërit.
“Të dhënat jozyrtare thonë se grupi në ‘Facebook’ ka qenë në dakordim me prindërit, por për mua çdo trajtim i tillë dhe poshtërim i fëmijëve, nxënësve është i papranueshëm”, tha Nagavci, sipas të cilës, Komuna ka njoftuar Inspektoratin e Arsimit dhe po pret raportet e zyrtarëve të saj për të marrë masa.
“Unë kam njoftuar Inspektoratin e Arsimit, sepse ligjërisht është kompetencë e Ministrisë së Arsimit. Megjithatë kam dërguar zyrtarë të DKA-së për vizitë në këtë shkollë dhe po pres raport deri në fund të ditës nga këta zyrtarë dhe nga drejtorit i shkollës. Në bazë të këtij raporti edhe do të merren masa”, tha Nagavci.
Vetë mësuesja thotë se ndihet keq dhe nuk ka pasur për qëllim të fyejë fëmijët. Ajo insiston se fotografitë kanë qarkulluar vetëm brenda një grupi të krijuar me prindërit dhe u keqpërdorën nga dikush brenda grupit. Por, fotografitë nuk janë postuar në grup, por në profilin e mësueses.
Edhe drejtori i shkollës, Agron Mexhuani, thotë se sido që të ketë qenë situata, ky veprim nuk justifikohet. Në mbështetje të mësueses ka dalë kryetarja e këshillit të prindërve të klasës.
Psikologia Sibel Halimi mendon se pavarësisht se mësimdhënësja ndihet keq, ky rast duhet të dënohet dhe të shërbejë si shembull që mësimdhënësit nuk mund t’i disiplinojnë nxënësit në këto forma. Pas këtij incidenti, mësimdhënësja Lendita Ilazi Fazliu, siç shkruan Koha, e ka mbyllur profilin e saj në facebook.
Analisti dhe publicisti Halil Maroshi thotë se fëmijët janë të mbrojtur me ligj dhe ky veprim tregon për abuzimin emocional dhe psikologjik të fëmijëve. Ai kërkon që këto raste mos të përsëriten, ndërsa ndaj abuzimit të fëmijëve nga kjo mësuese, të merren masa ligjore.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kurti zhvillon takimin e parë në Davos me ministrin kanadez për promovimin e eksportit Në takimin e tij të parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kryeministri në detyrë i... -
Hap dyert Forumi Ekonomik Botëror WEF dhe «Shtëpia e Kosovës» në Davos -
Ibrahim Berisha kandidon sërish për Këshillin e Përgjithshëm të Friburgut -
Sot i jepet lamtumira e fundit 28-vjeçarit që vdiq tragjikisht në aksidentin në Slloveni -
Sot në Gjenevë: Debat mbi të drejtën e votës së të huajve
Jeta në Zvicër
-
Në Zvicër, faturat mjekësore në 2026 vijnë me QR Code për rimbursime më të shpejta Nga viti 2026, faturat mjekësore në Zvicër kanë një ndryshim të rëndësishëm: çdo faturë shoqërohet me... -
Mungesa e banesave do të rritet vitin e ardhshëm -
Zvicër: Po qarkullon një virus i ri i gripit -
Hap dyert Forumi Ekonomik Botëror WEF dhe «Shtëpia e Kosovës» në Davos -
SBB-së i lejohet të zgjerojë linjën Zurich-Winterthur










