Integrimi

Mjekët shqiptarë, faktor me rëndësi për integrimin e komunitetit tonë në Zvicër

9 mjekë shqiptarë të profileve të ndryshme kanë referuar mbi temën “Diabeti në qendër të vëmendjes”, duke trajtuar kështu efektet dhe rreziqet e kësaj sëmundjeje

Mjekët shqiptarë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në integrimin e suksesshëm të komunitetit shqiptar në Zvicër. Kështu është shprehur sekretari gjeneral i shoqatës së Mjekëve FMCH Dr. med. Markus Tretmann, në simpoziumin e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, të mbajtur të shtunën në një prani të lartë të mjekëve në Qendrën e Kulturës dhe Kongreseve (KKL) në Lucern, shkruan albinfo.ch.

Simpoziumi ka pasur si pikë referimi sëmundjen e diabetit. Në këtë kuadër, 9 mjekë specialistë shqiptarë të profileve të ndryshme, kanë referuar mbi temën “Diabeti në qendër të vëmendjes”, duke trajtuar kështu efektet dhe rreziqet e kësaj sëmundjeje që prek rreth gjysmë milioni njerëz në Zvicër.

© 2019 Albinfo.ch

Pjesëmarrësit e simpoziumit të parë të LMSHZ-së i ka nderuar me një fjalë përshendëtese sekretari gjeneral i „FMCH“ Dr. med. Markus Trutmann, shkruan albinfo.ch. Ai, para më shumë se 130 mjekëve pjesëmarrës tha se ndjehet i nderuar të jetë në mesin e Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, duke veçuar rëndësinë e komunitetit shqiptar në vend dhe kontributin që japin shqiptarët, nga mjekësia e deri te futbolli.

“FMCH” është organizata ombrellë e 20 shoqatave mjekësore kirurgjike dhe invazive dhe tri shoqatave profesionale në Zvicër. „FMCH“ përfaqësohet në të gjitha komitetet e „FMH“, në Asamblenë e të Deleguarve të „FMH“ dhe në Shoqatën e Mjekësisë.

Trutmann: Shqiptarët po integrohen me sukses, edhe në mjekësinë zvicerane

© 2019 Albinfo.ch

Kështu i deleguari i „FMCH“-së, Trutmann, duke kërkuar falje që nuk e flet gjuhën shqipe, mes tjerash tha se LMSHZ-në e presin detyra të rëndësishme. Ai veçoi praninë e lartë të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke potencuar se plot 3% e popullatës së përgjithshme në Zvicër ka dhënë gjuhën shqipe si gjuhë kryesore në përdorim. Dhe kjo, sipas tij, përkthyer në shifra nënkupton rreth 350 mijë njerëz që flasin gjuhën shqipe në Zvicër. Në këtë kon tekst ai shpreson se mjekët shqiptarë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në integrimin e suksesshëm të komunitetit shqiptar në Zvicër.

„Sipas perceptimit tim dhe perceptimit të shumicës zvicerane, komuniteti shqiptar po integrohet shumë mirë në Zvicër. Personalitete të suksesshme të komunitetit shqiptar sot i takon kudo në Zvicër, në të gjitha sferat e jetës; si në politikë, në ekonomi, në kulturë, në mesin e avokatëve, mjekëve dhe natyrisht, në mesin e sportistëve“.

© 2019 Albinfo.ch

Megjithatë, theksoi ai, nuk guxojmë të anashkalojmë që njerëzit me sfond migracioni nuk kanë të njëjtat shanse sikur popullsia vendëse. Kjo prek, sipas tij, veçanërisht kujdesin shëndetësor., citon albinfo.ch mjekun zviceran. Shembulli i personave nga Kosova tregon se 18.1% prej tyre deklarojnë se shëndeti i tyre nuk është i mirë, në krahasim me 8.1% sa deklarojnë zviceranët. Ky dallim është i theksuar tek shtypja e lartë e gjakut, sëmundjet e veshkëve dhe migrenëa, përderisa tek diabetet nuk ka një statistikë.

Simpozium i akredituar si pjesë e arsimimit të vazhdueshëm të mjekëve

© 2019 Albinfo.ch

„Unë jam i bindur se ju si mjekë shqiptarë gëzoni një respekt të lartë tek komuniteti shqiptar dhe kështu keni një ndikim të madh në ruajtjen e shëndetit tek bashkëqytetarët tuaj dhe kjo është një detyrë shumë e rëndësishme për ju“, iu drejtua Trutmann mjekëve shqiptarë. Ai ua rikujtoi atyre se një detyrë tjetër sigurisht shumë e rëndësishme do të ishte, „ndërtimi i marrëdhënieve ndërmjet Zvicrës dhe vendit tuaj të prejardhjes në fushën e kujdesit mjekësor“.

Ndryshe, ky simpozium është akredituar pranë shoqatës së gastroenterologëve zviceranë dhe është vlerësuar me kredite të vlefshme për edukim të vazhdueshëm të mjekëve, raporton albinfo.ch

Mjekët të cilët kanë qenë pjesë e këtij simpoziumi përmes referateve, në fund janë pajisur me certifikata.

© 2019 Albinfo.ch

Temat që u trajtuan nga referuesit

Në pjesën tjetër të simpoziumit, atë që merrej me trajtimin e sëmundjes së diabetit nga perspektiva dhe përvojat e mjekëve të profilëve të ndryshme, kanë folur nëntë referues specialistë.

Kështu Dr.med. Fllanza Krasniqi referoi mbi sëmundjen e diabetit në përgjithësi, njohuritë e fundit dhe rekomandimet terapeutike. Kurse Dr. med. Avdullah Krasniqi shpjegoi efektet dhe komplikacionet e diabetit gjate shtatëzanisë dhe tek lehonat. Përderisa për depresionin te diabetikët ka folur Dr. med. Afrore Suka Qorolli.

© 2019 Albinfo.ch

Për ndërveprimin e diabetit me sëmundjet e gojës dhe të dhëmbëve, kanë referuar M.Sc. med. dent. Gazmend Haliti dhe Dr. med dent. et pract. med Sead Abazi.

Diabeti si sëmundje prek rreth gjysmë milioni qytetarë të Zvicrës. Në tërë botën jetojnë rreth 425 milionë njerëz me diabet. Sipas vlerësimeve nga Federata Ndërkombëtare e Diabetit (www.idf.org), deri në vitin 2045 do të jenë rreth 629 milionë njerëz. Gjysma e të gjithë diabetikëve nuk e dinë që kanë diabet.

© 2019 Albinfo.ch

Problemet gastro-enterologjike dhe hepatologjike te pacientët me diabet i ka ilustruar në disa forma​​​ Dr. med. Mentor Bilali ndërsa për sëmundjet vaskulare periferike te pacientët me diabet ka folur Dr. med. Naim Mehmeti i cili udhëheq me repartin e Angiologjisë në spitalin Kantonal në Winterthur.

Në fund të simpoziumit referuesit Prof. Dr. med. Omer Xhemali dhe PD Dr. med. Florim Cuculi kanë ilsutruar përvojën e tyre në formë të një debati shume interesant pro et contra me temë “Sëmundja koronare te pacientët me diabet – Stentë apo Bypass”.

© 2019 Albinfo.ch

Mbledhja vjetore e Kuvendit të LMSHZ-së

Në kuadër të këtij takimi, Kuvendi i LMSHZ-së në fund ka mbajtur edhe mbledhjen vjetore, ku anëtarët unanimisht kanë miratuar raportin për punën e kryesisë, raportin financiar si dhe buxhetin për vitin 2020. Mëqenëse më herët Dr. med. Emine Gashaj kishte dhënë dorëheqje, Kuvendi ka zgjedhur në vend të saj sekretare të përgjithshme të LMSHZ-së, Dr. med. Valbona Hysenaj Miftari, e cila është kryemjeke pranë Departamentit të Varësisë në Klinikën Psikiatrike në Brugg të Zvicrës. Dr. med. Xhezide Lumi është zgjedhur anëtare e re e kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër.