Opinione

Mos e lini pa votuar!

Ju po gaboni rëndë nëse nuk i shfrytëzoni të drejtat e juaja demokratike dhe nuk shkoni të votoni. Prandaj, shkoni dhe votoni, sipas dijes dhe ndërgjegjes tuaj

Fundjavën e kaluar po flisja me kushëririn tim nga Kosova dhe me kusherirën nga Zvicra po flisnim lidhur me zgjedhjet dhe të dy bënë pyetjen e njëjtë: “Epo, kë duhet ta votoj?”. Unë iu përgjigja: “Ndonjërin që kandidon!”. Të dy pastaj pyetën: “Sigurisht, por cilin nga kandidatët?”. Ah po, pastaj mua më erdhi në kokë se në tetor 2019 do të ketë zgjedhje në Kosovë dhe në Zvicër.

Zvicra ka një traditë të vjetër të pranisë shqiptare. Kështu, për shembull, në vitin 1431 ipeshkvët shqiptarë kishin qenë të ftuar në koncilin e organizuar nga Kisha Katolike në Bazel*. Ose shqiptarja Elena Gjika ishte gruaja e parë e cila, në vitin 1855, kishte ngjitur majen Mönch në Jungfraujoch, Kantoni i Bernës*.

Shumë tunele, ura, rrugë dhe hekurudha në Zvicër nuk do të përfundoheshin nëse në ndërtimin e tyre nuk do të merrnin pjesë edhe shqiptarët. Shumë shtëpi pleqësh dhe spitale në Zvicër nuk mund të funksiononin pa duart e shqiptarëve. Dhe shumë nga këto duar shqiptare në doganë tregojnë pasaportën zvicerane. Prandaj, pyetja se kë duhet ta zgjedhim është plotësisht legjitime. Por përgjigjen nuk mund ta jap unë; Atë duhet ta japë secili për vete.

Çfarë është e rëndësishme në këtë kontekst?

Politikanët gjithmonë premtojnë që pas zgjedhjeve do të angazhohen për ne. Nëse ndonjëri nga ta ka qenë tashmë si politikan në ndonjë post, është e thjeshtë, pasi që ne atë mund ta pyesim: “Përse ti, këtë që po na e premton tash, nuk e ke realizuar në vitet e kaluara?”. Nëse ai nuk ka bërë asgjë për ne, përse do ta votonim ne atë sërish? Ai duhet të na i tregojë çështjet që i ka shtyrë përpara në politikë, në mënyrë që ne të mund të gjykojmë se si është angazhuar për ne. Ne duam që politikanët tanë të mos i matim me premtimet por me veprat e tyre! Te kandidatët e rinj kjo duket pak më e vështirë por edhe ata mund të tregojnë se çfarë kanë arritur në komunë ose në rreth.

Të votosh nuk është një punë e thjeshtë. Austria (1978) dhe Gjermania (2000) kanë vendosur ndërprerjen e prodhimit të energjisë elektrike nga centralet atomike. Në vend të kësaj, sot në gjithë botën, rryma prodhohet nga elektranat me thëngjill, që shkaktojnë emetime të CO2. Në mënyrë që emetimi i CO2 të mund të ulet, Franca ka vendosur që të vejë një taksë në biletat e fluturiimit. Asnjë politikan nuk ka sqaruar se si përmes taksave më të larta do të prodhohet më pak CO2. As politikanët zviceranë nuk munden ta sqarojnë këtë, por një pjesë e tyre janë po ashtu për taksa më të larta.

Një familje katëranëtarëshe e cila dëshiron t`i kalojë pushimet në Kosovë, detyrohet që për këtë arsye të paguajë taksën e re të biletave – edhe ashtu të shtrenjta –  prej rreth 240 frangash (4X30 shkuarje dhe kthim) ose ta bëjë udhëtimin me makinë. A ka kuptim kjo?

Qeveria e Zvicrës ka marrë pjesë në asamblenë e katërt të Programit për mjedisin të Kombeve të Bashkuara (UNEP) në Nairobi të Kenisë, në mars 2019. UNEP kujdeset për çështje të rëndësishme mjedisore siç është problemi gjithëbotëror i emetimit të CO2. Sipas raporteve të UNEP në konferencë kanë marrë pjesë mbi 170 shtete dhe rreth 5000 veta. Kjo nënkupton 5000 shkuarje dhe ardhje (fluturime) në një distancë mesatare fluturimi prej 10.000 kilometrash secili. Marrë në tërësi, bëhet fjalë për 50 milionë kilometra të kaluara në aeroplanë dhe për sasinë përkatëse të CO2-shit të emetuar. Në vend të ngarkimit përmes taksës së re me 30 franga të çdo pasagjeri me xhep të cekët që dëshiron të fluturojë në Kosovë, është koha të shikohen alternativa tjera. Ose që zyrtarët të paguajnë vetë për fluturimet e tyre të linjave të gjata. Nga 5000 pjesëmarrës, shumë kanë qenë nëpunës. A do të fluturonin këta edhe nëse ne, taksapaguesit nuk do t`i paguanim biletat e tyre ose a do të hiqnin dorë nga fluturimi i tyre me CO2 në rast se do të ishin të detyruar që biletat t`i paguanin vetë? Ndonjëri nga zyrtarët federalë kështu do të kursente CO2-shin dhe në vend të kësaj, fjalimin e vet do t`ia dërgonte ambasadorit zviceran në Nairobi. Kursimi i CO2 që do të bëhej nga (mos) udhëtimi i një zyrtari të vetëm federal në Nairobi do të vlente sigurisht sa gjashtë udhëtime me aeroplan për pushim në Kosovë!

Unë do të kujdesem që të mos ju them se kë duhet ta votoni ju. Vendosni për ata të cilët i kanë kuptuar dhe perceptuar me të vërtetë interesat tuaja. Ju nuk do të gaboni shumë nëse keni votuar një politikan premtimesh të thata. Këtë mund ta korrigjoni sërish pas katër vitesh. Por ju po gaboni rëndë nëse nuk i shfrytëzoni të drejtat e juaja demokratike dhe nuk shkoni të votoni.

Prandaj, shkoni dhe votoni, sipas dijes dhe ndërgjegjes tuaj.

  • (Burimi: Albert Ramaj: Shqiptarët në Zvicër)