Integrimi

Përfiton pa të drejtë nga RAV: Kosovarja lirohet për mosnjohje të gjuhës

Gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Qarkut në Muri, shpejt u bë e qartë se për Blertën barriera gjuhësore ishte një problem i veçantë

Një grua kosovare nuk kishte raportuar punën me kohë të pjesshme në RAV (Shërbimi Rajonal për Ndërmjetësim të Punës) dhe kështu kishte marrë përfitime të larta të papunësisë që arrijnë në rreth 11.700 franga. Gjykata e Qarkut Muri e ka liruar atë nga akuza për mashtrim, shkruan gazeta “Aargauer Zeitung”.

Siç dihet, në Zvicër kushdo që mbetet pa punë regjistrohet në RAV. Kështu ka vepruar edhe Blerta (emër fiktiv) në tetor të vitit 2016. 58-vjeçarja kosovare jeton në një komunë në rrethin Muri të Kantonit Aargau, shkruan gazeta “Aargauer Zeitung”. Ajo kishte humbur punën me orar 50 për qind në një restorant në kantonin e Zug-ut.

Përveç punës së saj kryesore të humbur, Blerta punonte gjithashtu disa orë në javë si pastruese në familje të ndryshme, transmeton albinfo.ch. Por, ajo nuk i kishte deklaruar këto dy aktivitete në formularin për katës të RAV dhe për pasojë ka përfituar nga fondi i sigurimit të papunësisë kompensim më të lartë se që i takonte.

Në periudhën nga janari i vitit 2017 deri në janarin e vitit  2019, fondi i papunësisë ka humbur kështu një shumë prej rreth 11.700 frangash. Mbi këtë bazë, prokurori publik për Muri-Bremgarten ka akuzuar kosovaren për mashtrim të shumëfishtë dhe, në aktakuzë, ka kërkuar një dënim me kusht, me burg prej gjashtë muajsh, një gjobë prej 2.000 frangash si dhe një urdhër për dëbim shtatë vjeçar nga Zvicra.

Gjatë procesit gjyqësor në Gjykatën e Qarkut në Muri, shpejt u bë e qartë se për Blertën barriera gjuhësore ishte një problem i veçantë, transmeton albinfo.ch. Ajo nuk e flet dhe as kupton pothuajse fare gjermanishten. Prandaj një përkthyes  ka ndihmuar në marrjen në pyetje të Blertas nga kryetari i gjykatës, Markus Koch.

Sipas rregullit të RAV, e akuzuara duhej që për çdo muaj, të plotësonte formularët me informacione personal për kërkimin e punës. Aty, ndër të tjera përfshihej pyetja: “A keni punuar për një ose më shumë punëdhënës?”. Gjykatësi, duke u ndalur në këtë pikë, donte të dinte përse ajo gjithmonë i ishte përgjigjur me jo kësaj pyetjeje. Përgjigja e Blertës ishte: “Kam supozuar se kjo vlente vetëm për punën në restorant”.

Dëmin e shkaktuar, po e paguan me këste

Blerta gjatë procesit shpeshherë u është përgjigjur pyetjeve të ngjashme që synonin kuptimin gjuhësor nga ana e saj, të formularit të RAV me përgjigjen: “Unë nuk e kam kuptuar atë.”

Dokumentet ishin të gjitha në gjuhën gjermane ndërsa as burri i saj nuk e flet mirë gjermanishten, ka thënë ajo, transmeton albinfo.ch. Megjithatë, e akuzuara nuk ka kërkuar ndihmë nga njerëz të tjerë. Edhe pse ajo ka jetuar në Zvicër për gati 21 vjet në dy periudha: njëherë mes viteve 1991 dhe 1998 dhe së dyti, që nga viti 2007 deri sot, aftësitë e saj gjuhësore janë mjaft modeste. Ajo është shprehur se nëse do t`i kuptonte saktë, nuk do të kishte plotësuar formularin ashtu siç e ka plotësuar.

Sidoqoftë, që nga dhjetori i vitit 2019, Blerta ka paguar  me këste mujore dëmin për RAV.

“Dëshira ime është të mësoj gjuhën gjermane. Do të përpiqem”, ka thënë ajo. Në fund, gjykata e ka liruar Blertën plotësisht nga akuza e mashtrimit.

“Keni marrë shumë para pasi që e keni plotësuar formularin gabimisht. Ndërkaq, nuk mund të vërtetohet nëse e dinit se po merrnit më shumë para se që ju takonin”, është shprehur gjykatësi, përcjell albinfo.ch. Aktgjykimi nuk është i plotfuqishëm.