Tematike

Müller: FDP nuk shikon nacionalitetin por aftësinë për t`u integruar

Kryetari i FDP/PLR-së thotë se njerëzit me prejardhje të huaj partia e tij i konsideron si pjesë të shoqërisë

Në intervistën e tij për albinfo.ch, kryetari i FDP/PLR, Philip Müller flet për vlerat që përfaqëson partia e tij, duke thënë se prejardhja etnike e njerëzve që jetojnë në Zvicër nuk ka prioritet për FDP-në. Müller në intervistën dhënë albinfo.ch veç tjerash thotë: “Për FDP/PLR-në nuk është përcaktues nacionaliteti por vullneti dhe aftësia për t`u integruar”. Ai flet edhe për krizën e refugjatëve dhe për masat që duhet marrë për qetësimin e saj.

Albinfo.ch: Si e vlerësoni ju krizën aktuale të refugjatëve në drejtim të Evropës dhe cila do të ishte zgjidhja e këtij problemi, sipas mendimit tuaj?

Philip Müller:  Situata në të cilën ndodhen këta njerëz, është e rëndë. FDP mbështet ndihmën që jep Zvicra për zhvillim dhe dëshiron që të intensifikohet kjo ndihmë në vendet e krizës si dhe në shtetet fqinje me zonat e konfliktit. Situata mund të përmirësohet natyrisht vetëm nëse do të gjendet një zgjidhje e përbashkët gjithevropiane. Zvicra po ashtu mund të pranojë të përndjekurit e luftës me statusin e personave që duhen mbrojtur. Mirëpo refugjatët ekonomikë nuk duhet të shfrytëzojnë azili për imigruar.

Albinfo.ch: Cilat janë pikëpamjet e partisë suaj në lidhje me integrimin e të huajve në Zvicër? Si  e shihni procesin e integrimit të shqiptarëve në vend?

Müller: Kush dëshiron të jetojë në Zvicër duhet të respektojë kushtetutën tonë, ligjet dhe zakonet zvicerane. Arsimimi dhe integrimi përbëjnë vlerat qendrore të shoqërisë sonë. Këto vlera përmes nënshkrimit të marrëveshjes për integrim dhe duke iu përmbajtur asaj marrëveshjeje, do të duhej të fitonin edhe më shumë në peshë. Dhe kjo vlen në masë të njëjtë për të gjitha nacionalitetet. Për FDP/PLR-në nuk është përcaktues nacionaliteti por vullneti dhe aftësia për t`u integruar.

Albinfo.ch: Si pozicionohet partia juaj në lidhje me revizionin e ligjit të natyralizimit?

Müller: FDP e ka mbështetur rishikimin e Ligjit mbi Natyralizimin. Ky është një moment kyç dhe me rëndësi drejt caktimit të kritereve të qarta dhe unike të natyralizimit. Integrimi i suksesshëm duhet të jetë parakusht për natyralizimin.

Albinfo.ch: Sipas jush, a duhet të faktorizohet popullata migruese në Zvicër, veçanërisht sa i përket pjesëmarrjes në jetën shoqërore dhe politike zvicerane?

Müller: Njerëzit me prejardhje të huaj ne i konsiderojmë pjesë të shoqërisë. Të drejtat politike janë në të shumtën të lidhura me pasjen e shtetësisë zvicerane. U takon në radhë të parë kantoneve dhe komunave që të vendosin nëse ato do t`ua njohin të huajve të drejtën e votës dhe të zgjedhjes. Por caktimi i qëndrimit të përhershëm në Zvicër  dhe integrimit të mirë si parakushte për marrje me politikë, mund të jetë një gjë me vend.

Albinfo.ch: Si paraqitet situata në partinë tuaj sa i përket kandidatëve me prejardhje të huaj në zgjedhjet federale? A ka ndër ta me prejardhje nga Ballkani/Kosova?

Müller: Për ne në plan të parë është ideja liberale. Ne nuk bëjmë dallime sipas prejardhjes. Kushdo që ndan me ne vlerat tona, është i mirëseardhur që të na bashkohet. FDP nuk mban shënime rreth gjuhëve që njohin anëtarët dhe kandidatët e saj. Ne, për raste të veçanta, përmes kontakteve personale mund ta dimë se çfarë gjuhe amtare kanë anëtarët, funksionarët dhe kandidatët tanë konkretë. Por kjo për ne nuk vihet në plan të parë.

Albinfo.ch: Cili është qëndrimi i partisë suaj lidhur me politikën e jashtme të Zvicrës dhe cili është vendi i shteteve të Ballkanit në sytë e partisë suaj?

Müller: Në fushën e politikës së jashtme për ne në qendër të vëmendjes është politika e jashtme ekonomike, në veçanti marrëdhëniet e Zvicrës me BE-në. Ne e mbështesim kursin e politikës së jashtme të vendosur nga Këshilli Federal. Marrëdhëniet me vendet e Ballkanit, në këtë kontekst prej shumë vitesh zënë një vend të veçantë.

Albinfo.ch: A do të inkurajojë FDP/PLR investime zvicerane në Ballkan për ta zbutur papunësinë që mbretëron atje?

Müller: Ne e mbështesim Qeverinë Federale sa u përket masave që ajo merr lidhur me politikat zhvillimore.

Capture d’écran 2015-09-23 à 09.39.34

Nuk na intereson prejardhja e kandidatëve të saj

Për ne në plan të parë është ideja liberale. Ne nuk bëjmë dallime sipas prejardhjes. Kushdo që ndan me ne vlerat tona, është i mirëseardhur që të na bashkohet. FDP nuk mban shënime rreth gjuhëve që njohin anëtarët dhe kandidatët e saj. Ne, për raste të veçanta, përmes kontakteve personale mund ta dimë se çfarë gjuhe amtare kanë anëtarët, funksionarët dhe kandidatët tanë konkretë. Por kjo për ne nuk vihet në plan të parë.

Refugjatët ekonomikë të mos abuzojnë me azilin!

Situata mund të përmirësohet natyrisht vetëm nëse do të gjendet një zgjidhje e përbashkët gjithevropiane. Zvicra po ashtu mund të pranojë të përndjekurit e luftës me statusin e personave që duhen mbrojtur. Mirëpo refugjatët ekonomikë nuk duhet të shfrytëzojnë azilin për imigruar.