Kosova

Vdes një shtetas austriak në afërsi të Prishtinës

Një shtetas austriak ka vdekur të premten, në një hotel në rrugën Prishtinë-Shkup, në territorin e komunës së Graçanicës.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se rasti është klasifikuar si “vdekje e dyshimtë” dhe se viktima është një burrë, shtetas austriak.

“Sot, në stacionin policor të Graçanicës është iniciuar një rast ‘vdekje e dyshimtë’. Rasti ka ndodhur në një hotel, në rrugën Prishtinë-Shkup. Vdekjen e viktimës, mashkull, shtetas austriak, e ka konfirmuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht, njësitet policore janë duke punuar në ndriçimin dhe sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, ka thënë Ahmeti, raporton Radio Evropa e Lirë.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me këtë rast, përcjell albinfo.ch.