Shqipëria

Në 8 muaj, 2 mijë ankesa të udhëtarëve për kompanitë ajrore

Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar njofton se ka ndërmjetësuar me kompanitë ajrore që qytetarët të dëmshpërblehen në rastet kur avioni i tyre ka pasur vonesa.

Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri, ka deklaruar për agjencinë shtetërore të lajmeve në Shqipëri se në 8 muajt e fundit pasagjerët kanë adresuar rreth 2 mije ankesa për dëmshpërblim ndaj kompanive ajrore dhe se 40% e tyre kanë marrë zgjidhje, përcjell albinfo.ch.

Ai shtoi se rreth 700 pasagjerë, të cilët kanë pasuar vonesa gjatë udhëtimit, janë dëmshpërblyer nga kompanitë ajrore.

“Ne dëshirojmë që të mos ketë vonesa të gjata dhe anulime të udhëtimeve, pra të mos ndodhin kurrë, ky është synimi ynë. Ne nuk duam që kjo të ndodhë, sepse pasagjeret presin një biletë për të udhëtuar në atë orar që është përcaktuar dhe në atë destinacion. Ne dëshirojmë që ky të jetë edhe objektivi i kompanive, por në momentin që kjo nuk ndodh, atëherë kompanitë kanë detyrimin që të paguajnë dëmshpërblimin ndaj pasagjerëve”, nënvizoi Keri. Ai  u bëri  thirrje pasagjerëve që udhëtojnë që t’i drejtohen Autoritetit të Aviacionit Civil shqiptar sa herë që avioni me të cilin ata udhëtojnë nuk niset në orar.