Koronavirusi: çast pas çasti

Një udhëtim në Gjermani në kohën e koronavirusit

Çantat janë bërë gati dhe itinerari është caktuar – aventura mund të fillojë. Gazetaret e DW-së, Emily Gordine dhe Olivera Zivkovic, do të udhëtojnë përgjatë Gjermanisë me një furgon kampingu për dy javë dhe do të ndajnë eksperiencat e tyre në kohën e virusit COVID-19. Çfarë është e mundur dhe çfarë jo? Çfarë duhet të dini nëse dëshironi që të kaloni pushimet në Gjermani këtë vit?

Dy gratë e reja e kanë planifikuar në mënyrë të gjerë udhëtimin e tyre. Do të fillojnë me ishullin Rügen në Detin Baltik, drejt Berlinit e pastaj në kodrat e Zvicrës së Saksonisë. Nga atje ato do të vazhdojnë për në Bamberg, Munich e pastaj në kështjellën “Neuschwanstein” në Allgäu. Që nga Deti Baltik e deri te Alpet – 1 mijë e 300 kilometra, gjashtë ndalesa.

Në këtë galeri fotografish Emily dhe Olivera do të përditësojnë çdo ditë postimet për eksperiencën e tyre. Nëse dëshironi që të mësoni më shumë për këtë udhëtim, ndiqni në Instagram “@dë_travel”. Aty dy gazetaret do të postojnë fotografi dhe video.

Gjatë këtij udhëtimi ne do të mbajmë një lojë “Ticket to Ride”, në të cilën ju do të udhëtoni përgjatë Gjermanisë, hap pas hapi. Gjatë udhëtimit ne do të postojmë disa postime për të përzgjedhur fituesit, për të cilat ju duhet vetëm të komentoni – dhe duke e bërë këtë do të keni shansin për të fituar.

“Sot fillon udhëtimi ynë nëpër Gjermani – ne do të udhëtojmë nga Deti Baltik deri në Alpe. Pushimet në kamp janë shumë të popullarizuara këto ditë për shkak të pandemisë. Prandaj nuk ka qenë e lehtë që të marrim me qira një furgo, por më në fund arritëm të gjejmë një në Leipzig. Furgoni do të jetë shtëpia jonë lëvizëse për këto dy javë”, është një përshkrim i shkurtër që dy gazetaret i kanë bërë ditës së parë. Këtu ka më shumë informata për dy udhëtaret:

Olivera Zhivkoviq

Unë jam një 27-vjeçare, gazetare nga Serbia, nga Beogradi, ku kam studiuar për politikë. Kur kam qenë 17-vjeçare kam vendosur që gazetaria është e ardhmja ime, e mahnitur nga përfitimi që shoqëria mund të ketë nga gazetaria. Dëshira për të vazhduar studimet dhe për të jetuar jashtë vendit me ka sjellë në Gjermani, ku i kam përfunduar studimet për master në gazetari. Tani jetoj në Berlin dhe punoj për DW-në. Kur nuk jam një gazetare e çuditshme, më pëlqejnë stand-up comedy, ecjet e gjata dhe bisedat, artikujt e gjatë të vikendeve, ushqimi në çdo formë apo madhësi dhe aktivitetet e jashtme sportive.

Emily Gordine

Emri im është Emily, unë jam gazetare 26-vjeçare me një karakter të Bridget Jones. E lindur dhe e rritur në Gjermani, nga babai gjerman dhe nëna gjermano-austriake. Në shkollë kam marrë një copëz të gazetarisë duke punuar prapa skenës dhe para kamerave në programin për fëmijë “Logo!” në Mainz, që më ka pëlqyer. Kam studiuar për ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Aberdeenit në Skoci para se të vazhdoja studimet për master në Londër.

Peshku, çipsat dhe çokollatat e kompanisë “Mars” do të mbesin përgjithmonë kënaqësia ime e turpshme. Në kohën time të lirë më pëlqen që të lexoj, veçanërisht Chimanda Ngozi Adichie dhe Sally Rooney. Jam duke punuar për DW-në që nga shtatori dhe po pres me padurim që t’ia filloj kësaj aventure të re.