Shqipëria

Njihuni me Senida Mesin, numri dy të “Qeverisë Rama 2”

Edi Rama publikoi kabinetin prej 11 ministrave, ose 8 më pak se që kishte Qeveria “Rama 1”. Por, ajo që ra në sy, është numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministrja Senida Mesi, shumë pak e njohur në opinionin shqiptar

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar kabinetin e tij qeverisës, i cili siç tha ai bazohet në prirje të reja, të cilët mbi supe mbajnë barrën e zhvillimit ekonomik, punësimit dhe dialogu me opozitën. Rama publikoi Kabinetin prej 11 ministrave, ose 8 më pak se që kishte Qeveria “Rama 1”, që përfundoi sot.

Por, ajo që bije në sy në këtë qeverisje të re, është numri dy i qeverisë, zëvendëskryeministrja, Senida Mesi, shumë pak e njohur në opinionin shqiptar.

Ajo është  40 vjeçare, e lindur dhe banuese në Shkodër, më 16 Dhjetor 1977. Senida është e martuar me Dr. Artanin dhe kanë 3 fëmijë, Erlind, Iris dhe Edan. Znj Mesi ka përfunduar suksesshëm në 2009 Masterin Ekzekutiv në Frankfurt, Gjermani, për Financë dhe Bankë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Administrim-Biznes, në vitin 2000.

Në vitin 2013 certifikohet Kontabël i Miratuar dhe në 2016 certifikohet në lidership dhe qeverisje nga Shkolla Shqiptare e Studimeve Politike, financuar nga BE.

Senida Mesi ka hyrë në politikë në vitin 2015, kur edhe u bë anëtare e Këshillit Bashkiak Shkodër. Ajo ka një eksperiencë 17 vjeçare si drejtuese në sistemin bankar dhe është eksperte në fushën e ekonomisë dhe financës, njëkohësisht lektore e jashtme në Fakultetin Ekonomik. Një konsulente biznesi, e cila eksperiencën e saj ia ka kushtuar zhvillimit të biznesit.

Aktualisht administratore në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.

Ajo është trajnuar në fusha të ndryshme, si ato bankingut, burimeve njerëzore, administrimit, manaxhimit të riskut, kredi-dhënies, zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, sipërmarrjes, lidershipit, financave publike, qeverisjes vendore dhe zhvillimit ekonomik lokal. Folëse në Konferencën Ndërkombëtare të EFSE (Fondi Evropian për Evropën Juglindore për Zhvillimin e SME-ve) dhe pjesëmarrëse në Forumin Botëror për Demokraci në Strasburg. Mesi zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

Ndryshe, ky është kabinat i qeverisë “Rama 2”:

Gramoz Ruçi është emëruar kreu i Kuvendit.

Taulant Ballës i është besuar drejtimi i grupit Parlamentar i Partisë Socialiste,

Zëvendëskryeministre Senida Mesi, e cila u zgjodh për herë të parë këtë sesion si deputete e Shkodrës.

Ministër i Shtetit për Shqiptarët  Jashtë (diasporën) do të jetë Pandeli Majko, që ka një karrierë të gjatë në Partinë Socialiste.

Ministre e Shtetit për Sipërmarrësit- Sonila Qato, e cila deri tani ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Agjencisë së Trajtimit të Pronave.

Ministër i Brendshëm-Fatmir Xhafaj, i cili e mbajti këtë poste edhe në tre muajt e fundit të qeverisjes së kaluar.

Ministre e Mbrojtjes- Olta Xhaçka, që në muajt e fundit të qeverisjes së kaluar mbante postin e Ministres së Punës.

Ministre e Drejtësisë- Etlida Gjonaj,

Ministria e Ekonomisë dhe Financave do të bashkohen. Ministër do të jetë Arbën Ahmetaj, i cili në mandatin e kaluar drejtoi fillimisht Ekonominë dhe më pas kaloi tek financat.

Ministër i Jashtëm do të vijojë të mbetet Ditmri Bushati,

Ministria e Energjisë bashkohet me Infrastrukturën. Ministër i ri do të jetë Damian Gjiknuri, që deri tani ka drejtuar energjinë,

Ministër i Bujqësisë- Niko Peleshi, ish zëvendëskryeministri në mandatin e kaluar.

Por, ajo që kishte premtuar Edi rama se në këtë kabinet do të jenë më të mirën nga etnikumi shqiptar, duke përmendur edhe politikanë nga Prishtina e Shkupi, kjo nuk ndodhi. Në konstalacion të politikës së jashtme është përmendur, Veton Surroi, publicist, shkrimtar dhe politikan nga Kosova, por ai  nuk u përmend ditëve të fundit.