Kosova

Opozita kritikon ashpër Kurtin për programin qeverisës

Abdixhiku: Program pa ide, dokumenti më sipërfaqësor që kam lexuar para 33 minutave; Enver Hoxhaj: Albin Kurti, populist, solli një program të kotë

Në mbledhjen e sotëme në Kuvendin e Kosovës. kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se plani qeverisës është një nga dokumentet më jopërmbajtjesore që ka parë ndonjëherë, duke shtuar se nuk ka as matje, kohë apo numër, përcjell albinfo.ch.

“Të presësh 60 ditë e të marrësh një dokument 60 faqesh si përfundim, veç fillon të keshë dyshim mbi aftësinë e dikujt që të gjitha problemet ekonomike, politike, arsimore, shëndetësore, të rendit e ligjit, të sigurisë e integrimit, të dialogut e punësimit, të korrupsionit e nepotizmit, të kapjes e pandemisë – do t’i përfshijë në 60 faqe platformë”, ka thënë Abdixhiku.

Abdixhiku ka shtuar se në këtë program qeverisës nuk është dhënë asnjë plan konkret për zhvillimin ekonomike. I pari i LDK-së ka porositur Kurtin, duke thënë se qeverisja duhet bërë duke shikuar kah e ardhmja, dhe jo duke kritikuar të shkuarën.

Nga ana tjetër, kritka të mëdha dha edhe kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, duke thënë se nuk kishte kurrfarë nevojë për seancë urgjente, përveç nëse Qeveria do të sillte ndonjë vendim urgjent për vaksinim të qytetarëve kundër Covid-19.

Hoxhaj e ka quajtur “paçavër” planin qeverisës të Qeverisë Kurti.

“Pamjet e shëmtuara të trajtimit të prindërve, gjyshërve dhe të moshuarave tanë, ku ata shtyheshin me njëri tjetrin, pa fajin e tyre, për të marrë një vaksinë, tregojnë që vendi është drejt një katastrofe shëndetësore. Kudo në botë, edhe tek ne, është detyrë e kryeministrit që të siguroj vaksinat. Mirëpo ai dhe qeveria e tij pa asnjë justfikimi i kanë braktisur qytetarët në betejën e vështirë me pandeminë. Sepse nuk kanë guxim, dije dhe përvojë që të menaxhojnë pandeminë”, tha Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, programi nuk ka plan veprimi dhe se objektivat nuk përkthehen. në aktivitete konkrete.

“Albin Kurti kishte krijuar për disa vite bindjen se kurdo që do fitonte zgjedhjet dhe do udhëheq qeverinë, do të bënte transformimin e madh politik, ekonomik dhe shoqëror në vend. Në fakt, kjo ka të bëjë me diçka tjetër: çdo demagog dhe populist e ka talentin e veçantë, me i ba reklamë vetes. Këtu zoti Kurti është një shembull i mjerë në mesin e demagogëve në histori dhe populistëve në demokraci”, tha Hoxhaj.

Po ashtu, Hoxhaj ka deklaruar se me programin qeverisës, Albin Kurti po iu ik premtimeve zgjedhore.

“Në faqen 6 thuhet se do sigurohen vaksinat për 60 % të grup moshave që duhet vaksinuar brenda vitit, ndërsa në faqen 7 thuhet se ato sigurohen për 60% të qytetarëve të Kosovës. z. Kurti është dashur ta dijë se 60% i qytetarëve të Kosovës është rreth 1 milion e 100 mijë, por 60% i atyre që janë mbi 65 vjet është diku rreth 8 % apo rreth 130 mijë. Cila është e vërteta në këtë rast? A do t’i vaksinoni 130 mijë, a 1 milion e 100 mijë? Me këtë dinamikë dhe me ndihma, nuk besoj që deri më 2025 mund të vaksinohen qyetetarët! Nuk mund të luani me fatin e qytetarëve duke u nisur nga zotimet e huaja, sepse zotimet e huaja, janë shprehje gatishmërie, kur atyre t’iu vjen mundësia, e nuk janë obligime që i kanë ndaj nesh. Sigurimin e vaksinave e keni obligim ju, dhe nuk mund tua bartni partnerëve të jashtëm”, tha Hoxhaj.

Ai tha se programi i qeverisë Kurti 2 nuk ngjan fare me programin, e që Albin Kurti ka garuar në zgjedhjet e fundit.