Kosova
Osmani ndan dekoratë për ushtrinë finlandeze si shenjë falënderimi për shërbimin në Kosovë

Sot, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Finlandë, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me presidentin finlandez, Alexander Stubb, ku shprehu mirënjohje të thellë për përkrahjen historike dhe të vazhdueshme të këtij vendi ndaj Kosovës, përcjell albinfo.ch.
“Jam posaçërisht e nderuar që të jem në Finlandë, vendlindjen e të ndjerit Ahtisaari që është figurë madhore e paqes, lidershipi i të cilit e ka ndihmuar shtrimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës. Trashëgimia e tij mbetet gjithsesi e ndërthur në vet indin e Republikës sonë të sotme”, u shpreh presidentja Osmani në fillim të fjalës së saj.
Duke nënvizuar lidhjen e fortë mes dy vendeve, presidentja theksoi se populli i Kosovës do ta ruajë gjithmonë në zemër mirënjohjen për atë që Ahtisaari dhe Finlanda kanë bërë për Kosovën. Ajo veçoi miqësinë si një lidhje që nuk i takon vetëm së kaluarës, por është e gjallë, në rritje dhe e përqendruar në të ardhmen.
“Jemi krenar që t’ju quajmë një prej partnerëve tanë më të afërt dhe gjithsesi përkrahja finlandeze ka qenë afatgjatë edhe përmes kontributit në misionin e KFOR-it. Mbi 7 mijë ushtarë finlandezë, burra e gra kanë ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, shtoi ajo, duke theksuar se do ta ketë nderin t’ia ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake Forcave të Armatosura të Finlandës, si një vlerësim të lartë për të gjithë përkrahjen në misionin e KFOR-it.
Presidentja Osmani bëri të ditur se me homologun e saj finlandez patën një diskutim të frytshëm mbi ndërtimin e marrëdhënieve edhe më të afërta mes popujve dhe shteteve tona. Ajo e lidhi këtë me historitë e ngjashme të të dy vendeve përballë shtypjes dhe luftës për liri.
“Si dy vende që kemi pasur vështirësi historike kundër shtypjes e dimë shumë mirë çmimin e lirisë dhe mu për këtë Kosova dhe Finlanda kanë qëndruar të palëkundura me Ukrainën që nga dita e parë e pushimit rus. Pra, vendet tona duhet të vazhdojnë të ngritin zërin kundër ambicieve territoriale të Rusisë dhe mendësisë imperialiste të saj, duke stabilizuar kështu edhe arritjet tona institucionale”, tha Osmani.
Në vijim, e para e shtetit u ndal te proceset integruese euroatlantike të Kosovës, duke theksuar përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe respektimit të ligjit.
“Kosova sot ka nivelin më të lartë të demokracisë, sundimit të ligjit dhe është midis ekonomive me arritjen më të shpejtë në rajonin tonë”, tha ajo, duke rikujtuar se përkundër përputhshmërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, anëtarësimi në Këshillin e Evropës ende është në shqyrtim.
“Nuk duam ndere, nuk duam shkurtesa, thjesht duam procese meritore, integrim dhe përputhshmëri me vlerat evropiane, për të cilën gjë kemi pasur përkrahje nga Finlanda nga dita e parë,” theksoi Osmani, duke përgëzuar gjithashtu Finlandën për anëtarësimin historik në NATO, që sipas saj e ka bërë Evropën më të sigurt.
Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit të sigurisë, presidentja Osmani bëri me dije se sot i ka propozuar homologut të saj finlandez një marrëveshje më gjithëpërfshirëse ushtarake dhe të mbrojtjes mes dy vendeve. “Do të ishte hap i natyrshëm, kur demokracitë tona duhet të qëndrojnë krah për krah dhe do ta pasqyronte bashkëpunimin bilateral”, shtoi ajo.
Duke folur për raportet me Serbinë, presidentja Osmani theksoi se Kosova ka zgjedhur dialogun si mjetin e vetëm për të zgjidhur çështjet e mbetura, duke potencuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.
“Fqinji ynë nuk beson në këto parime, por i kemi zgjatur dorën tonë të bashkëpunimit, pasi duam të sigurohemi që fëmijët tanë, gjenerata e parë që ka njohur vetëm paqe e jo luftë, të mos kalojë më asnjëherë ato që i kemi kaluar ne”, nënvizoi Osmani.
Në përmbyllje të adresimit të saj presidentja Osmani falënderoi Finlandën për mikpritjen dhe për përfshirjen e suksesshme të diasporës së Kosovës, duke rikonfirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur, krenar për identitetin, historinë dhe potencialin e vet – rininë brilante për të ofruar mundësi të reja bashkëpunimi.
E-Diaspora
-
Numërohen rreth 62% e zarfeve të diasporës, kryeson PS me 65 mijë vota Partia Socialiste vazhdon të kryesojë me një diferencë të thellë edhe me votat e diasporës. Sipas...
-
Një shqiptar zgjidhet nënkryetar i komunës Wylie, në Texas të SHBA-së
-
Në pushime me fëmijën, në kohë shkolle: Kjo mund t`i kushtojë 1000 euro kosovares
-
TECH FORUM 2025, Cyrih: Kosova dhe shqiptarët, një “superfuqi” e TI-së
-
Katër shqiptarë akuzohen për mashtrim kibernetik, dëmi: Mbi një miliard euro
Jeta në Zvicër
-
10 gabimet që duhet të shmangësh në RAV që të mos humbësh ndihmën nga papunësia Nëse je i papunë në Zvicër dhe i regjistruar në RAV, duhet të ndjekësh disa rregulla...
-
Dhuna ndaj referëve: Përdorimi i kamerave trupore në futbollin amator të Zvicrës
-
Fund i epokës për shkollat vetëm për vajza, vendimi që sfidon sistemin e arsimit të ndarë në Zvicër
-
Zugu, qendra e kriptomonedhave në Zvicër
-
Pagat, duhet një ligj i ri për shkëmbimin e të dhënave me Italinë dhe Francën