Integrimi

Pacientët tanë i trajtojmë siç duam ne të na trajtojnë të tjerët 

Dr. Agron Shabani: “Skepticizmin ndaj të huajve unë e shoh si një sfidë. Vetëm me punë cilësore dhe të sinqertë mundemi ne si të huaj të japim kontributin tonë në tejkalimin e këtyre paragjykimeve”

I lindur në Maqedoninë e Veriut, ku dhe ka mbaruar shkollimin fillor e atë të mesëm, dr. Agron Shabani ka studiuar dhe specializuar stomatologjinë në Gjermani. Prej disa vitesh ai punon në Zvicër, ku ka hapur ordinancën e tij private stomatologjike. Dr. Shabani tregon për albinfo.ch për përvojat e tij në sistemet e ndryshme shëndetësore, për punën e tij aktuale, sfidat që e ndjekin si i huaj, synimet për të ardhmen etj.

Albinfo.ch: Keni rrugëtuar në disa shtete. Jeni rritur dhe shkolluar në Maqedoni, pastaj keni specializuar dhe punuar në Gjermani, së fundi jeni kthyer në Zvicër. Ku është shtëpia juaj?

Dr.Agron Shabani: Shtëpia ime është atje ku ndjehem më mirë, atje ku mund të përparoj më shumë në të gjitha aspektet dhe atje ku mund të jap kontributin tim në shoqëri, pa rënë në kundërshtim me parimet e mia njerëzore dhe profesionale. Për momentin kjo është Zvicra.

Albinfo.ch: Keni provuar të ktheheni në Maqedoni, në vendin e prejardhjes?

Dr.Agron Shabani: Unë jam rritur atje dhe me shumë dëshirë do t`i kisha përcjellë në vendin e lindjes përvojat e mia të fituara këtu. Për momentin s`kam plane për t’u kthyer në Maqedoninë e Veriut, por ky nuk është opsion të cilin do ta përjashtoja kategorikisht në të ardhmen më të largët.

Albinfo.ch: Ju keni jetuar dhe punuar në Gjermani. Tani për disa vjet jeni në Zvicër, ku i shihni dallimet sa i përket stomatologjisë dhe në përgjithësi mjekësisë mes këtyre dy vendeve?

Dr.Agron Shabani: Si në Gjermani, ashtu edhe në Zvicër stomatologjia, ashtu sikur edhe mjekësia e përgjithshme janë shumë të zhvilluara dhe nuk është se ka dallime të mëdha në aspektin profesional të ushtrimit të tyre. Dallimet qëndrojnë kryesisht në sistemet e ndryshme shëndetësore të këtyre vendeve. Për dallim nga Gjermania, Zvicra ka një sistem kryekëput privat në stomatologji, gjë që e lehtëson dhe e thjeshtëson punën e përditshme duke e zhveshur atë nga burokracia e lodhshme dhe shpesh e tepruar.

Albinfo.ch: Për çfarë jeni krenar?

Dr.Agron Shabani:  Nuk e di nëse mund ta quaj vetën krenar, por gjithsesi jam i kënaqur me të arriturat, për të cilat falënderoj Zotin dhe familjarët e mi, të cilët më kanë përkrahur në çdo cep të rrugëtimit tim profesional.

Albinfo.ch: A mund ta ndani pasionin nga profesioni?

Dr.Agron Shabani: Unë jam i mendimit që pasioni është një pjesë shumë e rëndësishme e profesionit. Pasioni është madje çelësi i suksesit në ushtrimin e një profesioni.

Albinfo.ch: Çfarë mendimi keni lidhur me fluksin e madh të mjekëve shqiptarë drejt Perëndimit?

Dr.Agron Shabani: Është me të vërtetë për të ardhur keq që një pjesë e madhe e mjekëve, por edhe e profesionistëve të sektorëve të tjerë braktisin vendlindjen si rezultat i mungesës së perspektivës për një të ardhme më të mirë në trojet tona. Shpresoj që në një të ardhme jo të largët gjërat të ndryshojnë për të mirë.

Albinfo.ch: A jeni përballur me vështirësi si një mjek me origjinë të huaj dhe mos keni hasur ndonjëherë në trajtim inferior nga vendësit?

Dr.Agron Shabani: Për fat të mirë, deri me sot s`jam ballafaquar me përvoja të atilla. Por skepticizmi ndaj të huajës është shumë njerëzor dhe normal. Unë këtë e shoh si një sfidë. Vetëm me punë cilësore dhe të sinqertë ne si të huaj mund të japim kontributin tonë në tejkalimin e këtyre paragjykimeve.

Albinfo.ch: Keni qëndruar për disa vjet në Gjermani. Çfarë përvojash sollët nga atje?

Dr.Agron Shabani: Pas mbarimit të studimeve në Universitetin me renome “Ludwig-Maximilans-Universität” në Mynih kam punuar në dy ordinanca të ndryshme, në Baden-Baden. E para ishte e specializuar për trajtime endodontike (të rrënjës së dhëmbit), ndërsa e dyta ishte e specializuar për implantologji dhe estetike dentare. Këto përvoja më kanë ndihmuar shumë në rritjen time profesionale.

Albinfo.ch: Tanimë keni kurorëzuar ëndrrën të keni ordinancën tuaj në Zvicër, çfarë do të thotë për ju?

Dr.Agron Shabani: Të kesh ordinancën tënde jo vetëm në Zvicër, por kudo qoftë, do të thotë shumë më tepër punë, përkushtim dhe përgjegjësi. Por, njëkohësisht është edhe një mundësi për zhvillim të mëtejshëm.

Albinfo.ch: Çfarë trajtimesh dentare u ofroni ju pacientëve?

Dr.Agron Shabani: Pacientëve të cilët vizitojnë ordinancën time u ofrojmë të gjithë spektrin e trajtimeve moderne stomatologjike, duke filluar nga higjiena dentare, trajtimet protetike (kurora, ura, proteza dentare) e deri ne implantologji. Në rastet më të komplikuara bashkëpunojmë edhe me specialistë të fushave përkatëse. Për më shumë informacione mund t’i hidhni një shikim faqes së internetit: www.zahnarztshabani.ch .

Albinfo.ch: A keni pacientë shqiptarë?

Dr.Agron Shabani: Numri më i madh i pacientëve të mi janë zviceranë, por gjithsesi që kemi edhe pacientë shqiptarë. Të gjithë janë të mirëseardhur.

Albinfo.ch: Çfarë dallon ordinanca juaj nga një ordinancë standarde private?

Dr.Agron Shabani: Ajo që e bën ordinancën time të veçantë është stafi im i çmuar dhe mënyra se si i trajtojmë pacientët. Ne i trajtojmë pacientët tanë ashtu si do të kishim dëshiruar ne vetë të trajtohemi nga dikush tjetër. Pacientët tanë e vlerësojnë shumë këtë.

Albinfo.ch: Cila popullatë i ka dhëmbët më të dëmtuar ?

Dr.Agron Shabani: Nuk është aspak sekret që si në tërë botën, ashtu edhe në Zvicër shtresat më të ulëta sociale ballafaqohen me më shume probleme dentare.

Albinfo.ch: Çfarë përfitojnë pacientët nëse vijnë në ordinancën tuaj?

Dr.Agron Shabani: Trajtime moderne të cilësisë më të lartë.

Në çfarë dallojnë Zvicra dhe Gjermania

Dallimet në mes të Gjermanisë dhe Zvicrës sa i takon stomatologjisë dhe mjekësisë në përgjithësi qëndrojnë kryesisht në sistemet e ndryshme shëndetësore të këtyre vendeve. Për dallim nga Gjermania, Zvicra ka një sistem kryekëput privat në stomatologji, gjë që e lehtëson dhe e thjeshtëson punën e përditshme, duke e zhveshur atë nga burokracia e lodhshme dhe shpesh e tepruar.

Ordinancën e Dr.AGRON SHABANIT mund ta gjeni në këtë adresë:

Bahnhofstrasse 26, 8712 Stäfa
Tel    044 926 80 80
Mail  [email protected]
Web www.zahnarzt-shabani.ch

/Shkrimi i sponzorizuar/


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI