Lajme

Paradoks: Pse Kina nuk ka valë të dytë infektimesh?

Ky vend regjistroi 24 raste të reja në 24 orët e fundit

Shumë shkencëtarë në botë po e cilësojnë një çudi më vete se si Kina, djepi i virusit që përhapi Covid-19 në gjithë bëtën, nuk ka valë të dytë të infektimeve. Madje, pavarësisht banorëve të shumtë, sot ky vend regjistroi vetëm 24 raste të reja, transmeton albinfo.ch.

Me të drejtë thuhet se është një paradoks i madh që ushqen në mënyrë të pashmangshme disa pyetje. Kina, ku SARS-COV-2 u shfaq për herë të parë gati këtu e para një viti, tani është vendi kryesor në botë që pandemia po e kursen. Jeta e përditshme në Kinë është në thelb normale. Ekonomia është ringritur deri në pikën që këtë vit Kina do të jetë i vetmi vend i G20-ës që regjistron rritje ekonomike, ndërsa të gjithë të tjerët janë në recesion.

Qeveria kineze fillimisht fshehu epideminë në Vuhan dhe më vonë vonoi mobilizimin ndërkombëtar, sot nuk ka asnjë arsye për të besuar se Pekini po fsheh raste të sëmundjes. Nga ana tjetër, rreziku i lejimit që qytete me më shumë se njëzet milionë banorë (të tillë si kryeqyteti ose Shangai) të jetojnë normalisht, pavarësisht nga kërcënimi i një epidemie të pakontrolluar, do të ishte shumë i madh.

Cili është sekreti i metodës kineze?

Tani të drejtosh gishtin drejt autoritarizmit kinez, i cili imponon një kontroll ekstrem social, do të ishte tepër e thjeshtë, por të paktën në dy nivele është e saktë. Së pari, në Kinë askush nuk i konteston vendimet zyrtare, ndryshe nga Evropa, ku nuk mungojnë polemikat dhe protestat.

Nga ana tjetër, duhet të marrim parasysh përdorimin e pakufizuar të teknologjisë nga qeveria, me aplikime, kode QR, centralizim të të dhënave, të gjitha mjetet që ishin përdorur gjerësisht nga regjimi për të kontrolluar popullsinë. Covid-19 vetëm e përforcoi këtë tendencë, sërish pa mundësinë e një debati.

Sot, shteti kinez ka aftësinë për t’i zbatuar vendimet e tij. Eshtë ndryshimi midis fillimit të epidemisë në Vuhan, me zonat e saj gri dhe dështimet, dhe veprimi i centralizuar i partisë duke filluar nga fundi i janarit, i cili nxori në pah fuqinë e plotë të qeverisë.

Çështja është politike kudo, në demokraci si dhe në shtetet autoritare. Zgjidhja nuk vjen nga zgjedhjet apo nga debatet mediatike. Në lojë është prishja e kontratës sociale (ose e mandatit qiellor, siç e quanin dikur) dhe një gabim mund t’u kushtojë liderëve karrigen, edhe nëse nuk zgjidhen në mënyrë demokratike.

Përsëri këtu përballemi me një paradoks: Imazhi ndërkombëtar i Kinës është dëmtuar qartazi, për shkak të menaxhimit fillestar të epidemisë, por edhe prej një diplomacie shumë agresive dhe sjelljes së qeverisë ndaj Ujgurëve, si dhe popullit të Hong-Kongut.

Megjithatë Kina paraqitet si një model menaxhimi për Covid-19, në ndryshim nga katastrofa që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Është një mesazh që pa dyshim është drejtuar më shumë popullsisë kineze, sesa pjesës tjetër të botës. Sidoqoftë, “modeli kinez” po fiton terren.