Bota

Për 1 ditë, në 3 shtete evropiane u thye rekordi i temperaturave

Dita e enjte, ka qenë shumë e nxehtë në shumë qytete evropiane

Ashtu siç ishte paralajmëruar, dita e enjte ishte shumë e nxehtë në shumë qytete evropiane. Pasi është thyer rekordi i temperaturave në Belgjikë e Britani të Madhe, zyrtarisht është thyer rekordi edhe në Francë, Holandë dhe Gjermani, përcjell albinfo.ch.

Parisi ka thyer rekordin, që u shënua më shumë se 70 vite më parë, me 41 gradë Celsius e matur në orën 13:42.

Që nga fillimi i matjes së temperaturës në 1873, kryeqyteti francez e kishte kaluar pragun e 40 gradë Celsius vetëm një herë, më 28 korrik 1947, me 40,4 gradë Celsius.

Një rekord i ri i temperaturës u regjistrua edhe në Holandë, me 41,7 gradë Celsius ose e cilësuar si temperatura më e nxehtë e regjistruar më parë në vend.

Kjo temperaturë ekstreme 41,7 gradë Celsius u regjistrua rreth orës 14:15 në Deelen, në lindje të Holandës. Rekordi i fundit mban datën e vitit 1944, me 38,6 gradë Celsius.

Gjermania theu dy herë rekordin absolut të nxehtësisë në historinë e saj të enjten, me termometrin që tregonte 42,6 gradë Celsius në perëndim të vendit. Maksimumi i nxehtësisë u regjistrua në Lingen, në Saksoninë e Ulët duke kaluar rekordin prej 40,5 gradë Celsius që ishte regjistruar vetëm një ditë më parë në Geilenkirchen.