Gastronomët shqiptarë në Zvicër

Pjetri dhe Armendi, të parët në Zvicër që bëjnë pica të zeza

PizzArgovia në Brugg, një piceri e vogël por me pica më të veçanta. Jo vetëm nga shija, por edhe nga forma që të shërbehet. Nëse shkoni aty, mos u çuditni nëse pica që do të konsumoni mund të ketë ngjyrë tjetër.

Pjetri dhe Armendi, nuk jetojnë në Itali, në vendin i cili njihet për pizza, por në Zvicër. Ata kanë bërë një kthesë në përgatitjen e këtij specialiteti, pasi që, nëpërmjet gatimit ata po bëjnë edhe vepra arti. Pjeter Perlepi dhe Armend Hajdaraj ka kohë që në picerinë e tyre kanë filluar të eksperimentojë me artin në pica, shkruan albinfo.ch.

Ndërkohë puna e tyre ka zgjuar interesimin e të tjerëve, të cilët për kuriozitet po shkojnë të shijojnë picat e tyre, edhe për shijen por sidomos edhe për ngjyrën. Pos picave tjera të shijshme, ata së fundi kanë vendosur të përgatisin pica me ngjyrë të zezë.

Pjeter Perlepi nga Komuna e Gjakovës ka 30 vjet që jeton në Zvicër. Ai ka mbaruar zanatin për të përgatitur ëmbësira në ëmbëltore. Pjetëri ishte rritur në furrë dhe e ka trashëguar profesionin nga babai i tij që tashmë është pensionuar dhe kishte furrën e tij në Zvicër.

Braktis zanatin e ëmbëltoristit, në kërkim të sfidave të reja

Por, ai vendosi të bëjë diçka tjetër dhe të merret me specialitetin e picave. “Doja një profesion të ri, pasi duke bërë torta dhe ëmbëlsira u bë monotone, dhe kam punuar edhe disa punë tjera. Edhe pse nuk isha i sigurt, ky zanat më hyri në qejf. Kam punuar 1 vjet e gjysmë aty dhe pastaj edhe në një piceri tjetër për rreth 3 vjet e gjysmë”, shprehet për albinfo.ch Pjeter Perlepi.

Më pas Pjetri dhe Armendi kanë vendosur që të kenë një piceri të tyre. Dhe kështu hapin picerinë “PizzArgovia”, që ka hapur dyert tashmë një vit në Brugg.

Po përse pica të zeza?

Disa të tilla i kishin shijuar në Itali, por ato ishin me ngjyra. “Na ka pëlqyer shumë ideja, dhe kemi vendosur që t`i bëjmë vet, por jo me ngjyrë. Kemi shikuar receta të ndryshme. Është më e shëndetshme, është më e shijshme. Kemi kërkuar diçka më të veçantë. E kemi nisur testimin, dhe e kemi provuar me familjarët tanë, të cilët ishin të befasuar.”

Pastaj një mendim për zbulimin e tyre e kanë marrë edhe nga miqtë e tyre.

Lajmi se në picerinë e tyre po bëhen pica të zeza ishte përhapur me shpejtësi. Tani mysafirët e tyre konsumojnë gjysma pica të zeza dhe gjysma pica tjera, të zakonshme.

“Ne nuk kemi pritur se do të kishte kaq shumë interesim. Kemi menduar mbase të kemi porosi për 10-20 pica në javë, por që na shkojnë më tepër nuk kemi besuar. Kemi pasur mysafirë të ndryshëm dhe special, vetëm për të ngrënë pica të zeza. Kjo të motivon për punë”, thotë Armendi për albinfo.ch, i cili prej disa vitesh ushtron profesionin e gastronomit në Zvicër.

Ja si “i nxijmë” picat

“Eshtë një preparat medicinal që është i lejueshëm dhe quhet “kohle aktiv” (karbon aktiv). Ne e kemi marrë vetëm atë produkt dhe e kemi kombinuar me miellin tonë, pastaj kemi shfrytëzuar edhe idetë e të tjerëve dhe kështu kemi bërë picën e zezë”, tregon për sekretin e kësaj pice Armend Hajdaraj nga Gjakova.

Ai thotë se nuk janë frikësuar që te eksperimentojnë për të bërë një picë të zezë. “Ne kemi dashur të japim diçka të re në Zvicër dhe me këtë ia kemi arritur. Një risi për konsumatorët. Ideja ka qenë që ne jemi të rinj dhe po ofrojmë diçka të re. Deri më tani jemi të vetmit në Zvicër me pica të zeza. Ka me ngjyra tjera, por jo me ngjyrë të zezë”, thonë Armendi dhe Pjetri.