Lajme

Policia vret 36-vjeçarin e ikur nga psikiatria

Policët ishin gjetur në një situatë kërcënimi akut për ta, thotë një zëdhënës i policisë

Pasditen e të mërkurës, Policia e Bernës ishte në kërkim të një personi që kishte ikur nga një institut psikiatrik. Duke ndjekur gjurmët e tij, policët kishin arritur në një shtëpi në qytet të Bernës. Atje, policët ishin gjetur në një situatë kërcënimi akut për ta, thotë një zëdhënës i policisë, shkruan 20minuten.ch.

Për pasojë, personi i ndjekur ishte qëlluar me armë zjarri dhe ishte plagosur rëndë. Përkundër masave të rianimacionit, ai ka ndërruar jetë shumë shpejt, transmeton albinfo.ch. Policia ka gjetur te i vrari një armë zjarri.

Policia Kantonale e Cyrihut (si e angazhuar nga jashtë) është duke e hetuar këtë aksion me pasoja vdekjeprurëse në Bernë. Hetimet e pavarura do të udhëhiqen nga Prokuroria Publike Bern-Mittelland, ka vërtetuar qendra mediale e Policisë Kantonale të Bernës.

Më vonë është vërtetuar se shtëpia ku është vrarë personi 36-vjeçar, i cili ishte i njohur nga policia si tip problematik, ishte shtëpia e prindërve të tij, përcjell albinfo.ch. Babai i të vrarit ka konfirmuar se bëhet fjalë për djalin e tij. Ai, kishte kohë që nuk jetonte më në shtëpinë familjare.